Putin ia thote troc perëndimit në samitin e G20: A nuk ju dhimbset Gaza njelloj si Ukraina?

259
0

Për herë të parë në thuajse dy vite, Vladimir Putin “u ul në tryezën e të mëdhenjve”. Ose më saktë, lejoi që liderë të rëndësishëm botërorë të futen në Kremlin, edhe pse virtualisht. Presidenti i Rusisë mori pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të G20-ës. Në të njëjtin panel me Michel dhe Von der Leyen të Bashkimit Europian, Macronin e Francës, Trudon e Kanadasë, Guterres të Kombeve të Bashkuara dhe shumë përfaqësues të vendeve dhe organizatave të tjera të rëndësishme të globit, Putini u përgjigj deklaratave dhe akuzave të perëndimit se ajo që Rusia po bën në Ukrainë është tepër tronditëse.

“E kuptoj që kjo luftë dhe humbja e njerëzve nuk mund të mos më trondisë. Po grushti i përgjakshëm në Ukrainë në 2014, i ndjekur nga lufta e regjimit të Kievit kundër popullit të tij në Donbass? A nuk është kjo shokuese? A nuk është e tillë dhe shfarosja e popullatës civile në Palestinë dhe në Rripin e Gazës sot? A nuk është tronditëse që mjekët duhet të kryejnë operacione tek fëmijët, operacione abdominale dhe të përdorin një bisturi në trupin e një fëmije pa anestezi? A nuk është tronditëse që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se Gaza është kthyer në një varrezë të madhe fëmijësh”, tha Putin.

Ai u shpreh i gatshëm për të diskutuar një mënyrë për ndalimin e luftës në Ukrainë, ndërsa akuzoi Kievin se nuk do paqe.

“Bota po kalon procese të transformimit rrënjësor. Qendra të reja të fuqishme të zhvillimit ekonomik global po shfaqen dhe po forcohen”, shtoi ai.