“Pritën 8 vite për tu bërë me fëmijë” Donin të shisnin edhe shtëpinë, kur papritur marrin një lajm të lumtur.

2
0

Rrëfimi i Valmirës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nis me sfidën për t’u bërë nënë. Ajo tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se pas 8 viteve martesë, fëmija nuk po vinte ende. Në këto rrethana, u konsultuan për metodën e fertilizimit artificial por mjekët i dhanë fare pak shpresë.

Edhe pse bashkëshorti ishte gati që të sakrifikonin sa të shisnin edhe shtëpinë për të përballuar shpenzimet, Valmira nuk pranoi. Pikërisht në momentin që nisën procedurat për të birësuar një fëmijë, erdhi një lajm i lumtur.

Valmira: Unë kisha bërë shumë përpjekje për të pasur një fëmijë pas 8 viteve martesë dhe të gjithë aty në lagje e dinin punën time.

Ardit Gjebrea: Po pse duhet ta dinin të gjithë në lagje?

Valmira: Kisha shumë vite që unë kërkoja për një fëmijë. Kisha bërë të pamundurën dhe m’i kishin prerë të gjitha shpresat.

Ardit Gjebrea: Çfarë kishe bërë meqë thua kisha bërë të pamundurën?

Valmira: Vizita pafund, vajta për “in vitro” dhe ato më dhanë shumë pak shpresa, 35% dhe im shoq ishte pro, por unë kundër.

Ardit Gjebrea: Pro në ç’kuptim?

Valmira: Që donte ta bënte këtë gjë.

Ardit Gjebrea: Me “in vitro”?

Valmira: Po. Unë nuk pranova, thashë jo. Jo vetëm për koston, por ngaqë mua më dhanë shumë pak përqind.

Ardit Gjebrea: Po, 35% është shumë pak.

Valmira: Donim të arrinim në atë pikë që të shisnim edhe shtëpinë për të arritur këtë gjë dhe unë thashë jo sepse kishte ditë, kishte muaj që kishim ngelur edhe pa bukë në shtëpi duke u marrë me shumë shpenzime për të ardhur në jetë një fëmijë dhe pa rezultat.

Ardit Gjebrea: Të shisje shtëpinë?

Valmira: Po. Një ditë vendosëm të shkonim në jetimore të dy për të birësuar një fëmijë. Në proces e sipër të dokumenteve unë marr vesh që isha shtatzënë. Ishte diçka komplet e papritur. Çdo gjë është e lidhur me trurin. Në momentin që unë qetësova trurin që ne do të bëjmë këtë hap, Zoti më bekoi me një djalë.

Ardit Gjebrea: Më shuaj një kureshtje. E kishit gjetur edhe fëmijën se kë do të merrnit?

Valmira: Jo, mua kjo pak a shumë më vret më shumë sepse mua më duket sikur një fëmijë tjetër e kam lënë atje, nuk e kam marrë.

Ardit Gjebrea: Por nuk e kishit përcaktuar fëmijën?

Valmira: Jo, akoma.

Valmira sot është nënë e një djali, 10 vjeç dhe një vajze, 2 vjeçe.