Prisnim hapjen e kufinjve, BE merr vendimin e papritur

819
0

Shqetësimi ne rritje mbi përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit, detyron Bashkimin Europian të shtrëngojë masat e udhëtimeve. Kufijtë e brendshëm mbeten të hapur, por lëvizjet jo të domosdoshme nuk këshillohen.

Gjithashtu, pikat e nxehta të infektimeve me Covid-19 brenda unionit do të kategorizohen si “zona të kuqërremta” dhe udhëtarët që do të vijnë prej andej do t’u nënshtrohen testeve dhe karantinës.

“Kemi rritje të infektimeve rreth Europës dhe variantet e reja po përhapen në kontinent. Propozojmë krijimin e një kategorie të re, “zona e kuqerremtë”, e cila tregon se në këtë zonë virusi qarkullon në nivele shumë të larta. Personat që do të udhëtojnë nga kjo zonë, do të duhet të kryejnë testin para nisjes dhe t’i nënshtrohen karantinës pas mbërritjes. Por përballë kësaj situatë serioze shëndetësore, udhëtimi nuk është i këshilluar”, tha presidentja e KE, Ursula Vond Der Leyen.

Masat e reja u rekomanduan nga Agjencia Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Kancelarja Merkel, gjithashtu, u kërkonte prej ditësh kolegëve të binin dakord mbi kontrollet shëndetësore në kufi, me teste e karantina shtesë.

Me rigoroze tregohet Franca, e cila njoftoi se nga mesnata e së dielës, të gjithë shtetasit e BE do të duhet të bëjnë testin para nisjes për në Francë.

Masat e reja janë një goditje në zemër për vendet turistike, të tilla si Spanja, Greqia dhe Malta, të shqetësuara për ekonomitë e tyre në prag të sezonit pranverë-verë.

Shtetet kanë propozuar idenë e një pasaporte vaksinimi për të lejuar zhvendosjet mes shteteve. Por presidenti i Këshillit Europian tha se ideja do të shqyrtohet me kujdes, por jo në këtë moment.