Nga Anta Muçaku për newsbomb.al
Një histori nga ato që të “shkundin” qenien dhe të bëjnë të mendosh gjatë për gjërat që kanë vërtet kuptim në jetë…
Serxhio është një 23 vjeçar nga Shkodra i cili ka marrë një vendim, që ndoshta dikush tjetër në moshën e tij, s’do kishte marrë mundimin as ta imagjinonte.
23 vjeçari ka birësuar bashkë me familjen e tij, një fëmijë special të cilin prindërit e tij biologjikë e lanë në maternitet, sapo zbuluan se ishte me sindromën down.
Domeniku, ose Dominushi, siç i thërret ai me përkëdheli vogëlushit 9 vjeçar, është tashmë pjesë e pandarë e jetës së Serxhios.
Por si u njoh me të dhe si ia doli i vetëm kundër të gjithëve, t’i jepte vogëlushit familjen e munguar?
Të gjitha këto, Serxhio Guri, m’i ka rrëfyer në një intervistë që më dhuroi emocione të jashtëzakonshme e më bëri të harroj për pak kotësinë e gjërave me të cilat, ne gazetarët merremi jorrallëherë.
INTERVISTA E PLOTË- Anta Muçaku
Serxhio, jam befasuar kur mora vesh historinë. Kisha shumë dëshirë ta ndanit me ne. Nga fillimi… si e njohe Domenikun?
Me Domenikun jam njohur disa vite më parë. Prej tetë vitesh punoj vullnetar te motrat e “Nënë Terezës” në Shkodër. Unë punoja kuzhinier dhe pas pune kisha një orar të lirë, katër me shtatë, pasdite. Gjatë këtyre tre orëve shkoja e ndihmoja atje. Një ditë na erdhi Domeniku. Na u tha që ishte me Sindromën Down, unë as e njihja atëhere si sëmundje. Po e shihja sa me frikë aq edhe me dashuri… Sapo zbriti nga makina për t’u futur te qendra, m’u hodh me vrap e më përqafoi. Aty u stepa në vend. Mendoja si është e mundur?! Se a din? Ka shumë dashni brenda vetes!
Çdo ditë pasi mbaroja punën si kuzhinier në një restorant, shkoja te motrat e “Nënë Terezës”, luaja me Domenikun, e ndihmoja, e vija të linte gjumë. Erdhi një pikë që u lidh aq shumë me mu, sa qante, mërzitej kur largohesha. Një ditë vendosa ta çoj në shtëpi që ta njihnin dhe prindërit e mi.
Normalisht nuk më lejohej ta merrja Domenikun por motrat duke më njohur prej vitesh dhe dukeqenëse punoja vullnetar aty, ma lejuan. Iu luta motrave të ma besonin dhe e mora për pak orë në shtëpi. Ime më punon në radio, babai është punonjës i OSHEE.
Kur erdhi mami me babin ne po luanim te divani. Ime më u afeksionua direkt me të sapo e pa, kurse im atë “u rrudh” disi në fytyrë. Nisa të kisha dhe një lloj konflikti me të afërmit të cilët më pyesnin: Po si, po pse? Në këtë pikë u distancova disi prej tyre…
Për Domenikun?
Po, nuk lejoja kërrkënd të ndërhynte në raportin me të.
Një ditë u ktheva nga puna në shtëpi kur gjej Domenikun aty. U lumturova krejt. I them mamës: Ça ka ndodh?
Më thotë: E ka marrë Tonini! E ka marrë baba- i them? Baba shkoi e mori?!!! Po- më tha. Shkoi e mori baba. Isha krejt i çuditun duke ditur që ai ishte pak i paqartë.
Kështu, e merrnim tre-katër ditë në javë. Domeniku nisi të ndryshojë. Kur vinte te ne ishte i qetë, i qeshur vazhdimisht…
Mirëpo erdhi një moment që Domeniku s’mund të rrinte më me motrat e Nënë Terezës në Shkodër pasi filloi duke u rritur.
Një natë, na thonë, që nuk e mbajmë dot më, dhe se donin ta adoptonin disa murgesha në Elbasan.
Pastaj na vjen një lajm që nuk mundën ta adoptonin për disa arsye, dhe se kishte ardhur një familje amerikane për ta adoptuar.
Nisën procedurat… Erdhën disa ekspertë nga Tirana dhe kërkuan të flisnin me mua dhe me time më për të ditur më shumë rreth Domenikut që pastaj të vendosinn për t’ia dhënë familjes amerikane. Unë dhe mama u futem në një dhomë e ndërsa filluam të flisnim për Domenikon, nisëm të qanim.
Mua më dukej sikur një pjesë e imja po shkëputej në atë moment. Befas, Domeniku dëgjon zërat tanë nga jashtë dhomës dhe nisi të thërrasë: Nini (ashtu më thërret mua), mam, mam (ashtu kishte nisur t’i thërriste sime mëje).
Mam dhe Nini ishin dy emrat që dinte të thoshte ai. Ishte shumë i lidhur me ne dhe kjo nuk e favorizonte aspak çiftin amerikan që donte ta adoptonte.
Çfarë ndodhi më pas?
Pikërisht në atë moment u thamë ekspertëve se donim ta adoptonim ne Domenikun. Nisëm menjehërë nga procedurat dhe ata pasi panë edhe lidhjen e tij me ne, vendosën në fund të na e besonin.
Si është Domeniku? Na fol pak për të!
Është shumë i dashur dhe e veçanta e fëmijëve si Domeniku është se mbesin gjithnjë të vegjël.
Ne duhet t’i kuptojmë gjithmonë se çfarë duan të thonë, kanë shumë dashni brenda vetes. Nuk kanë asnjë lloj djallëzie, asnjë lloj mërzie por ka gjithmonë diçka që mbetet “enigmë” se ti gjithmonë do duash të dish çfarë është ajo që do të thotë…
Po për ty? Çfarë do të thotë për ty e gjithë kjo? Ti je vetëm 23 vjeç dhe ke marrë pak a shumë rolin e prindërit. Është përgjegjësi e madhe, apo jo?
Kur kam njohur Domenikun isha 18 vjeç. Sot jam 23 dhe nuk e mendoja se një ditë në familjen time do ndodhte kjo.
Isha plot pasiguri… Jo vetëm unë, e gjithë familja. Pasiguria lidhej me faktin në do jemi të aftë t’i përgjigjemi, a do e jemi gjithnjë në punë?
Po Domeniku a e ka një asistencë dhe në ç’vlerë është kjo nëse mund ta themi…
Po e ka një ndihmë ekonomike por me thënë të drejtën as nuk e di se sa e ka.
Lekët e tij janë aty, të paprekura. Ne në familje punojmë të gjithë dhe sot për sot, i përgjigjemi vetë. Kur Domeniku të rritet, e do ketë nevojë për ato para, do i ketë gjithmonë aty, të paprekura. Punojmë dhe ndajmë bashkarisht me të ato që kemi.
Unë e ndjej si vëlla, si fëmijë…
Si ka ndryshuar tashmë jeta e Domenikut? Si ndjehet ai në shtëpinë tuaj?
Në jetën e Domenikut ndodhi një shndërrim. Më parë ai nuk flinte natën, çoheshe nga gjumi, trembej…
Sot flen i qetë, është zhvilluar në të folur. Është krejtësisht i qetë! Tashmë është pjesë e familjes tonë.
Po prindërit biologjikë të Domenikut, ku janë ata?
Me sa di unë, prindërit e kanë lënë në maternitet, në Tiranë.
Kur morën vesh që ishte me Sindromën Down, apo jo?
Po, di që e lanë aty dhe më pas motrat e morën në Shkodër. Tani është me ne.
Ç’ndodh tani në familjen tënde?
Gjithmonë në një shtëpi, kur të vegjëlit rriten, krijohet një lloj “ftohtësie”. Motra ime është e martuar, unë u rrita, secili në punët e veta dhe kur erdhi Domeniku, na ndryshoi krejt. Një dashni tjetër, shumë e madhe, na ngrohu të gjithëve, na bashkoi më shumë.
Kur ai është në shkollë, shtëpia na duket, krejt bosh.
Kush e çon dhe e merr nga shkollla? Si është një ditë e tij?
Shkon e çon baba. Pastaj e merr mama ose unë. Vjen nga shkolla ulet e pushon…
Tre herë në jave ne i kemi marrë një mësuese private që vjen në shtëpi dhe ndjek nga afër ecurinë e zhvillimit të tij. Luajmë bashkë, argëtohemi. Na mbush jetët.
Si e mendon të ardhmen? A të frikëson ideja se një ditë do krijosh jetën tënde dhe s’do jesh më aty për Domenikun?
Para se të vendosnim ta birësonim, e kemi menduar mirë këtë punë.
Unë do jem gjithmonë aty për të. I kam marrë parasysh të gjitha. As që e mendoj që një ditë të vazhdoj jetën time e t’i kthej shpinën. Do sakrifikoj gjithnjë për të, do jem aty, sa herë të ketë nevojë.
Cili është momenti më i vështirë i gjithë marrëdhënies tënde me Domenikun?
Unë gjithmonë kam qenë një natyrë e ndjeshme, emocionale por ajo që më ka tronditur më së shumti është momenti kur erdhën ekspertët nga Tirana.
E pashë tek priste aty jashtë dhe e kuptova që ai s’donte të ikte prej nesh. Përqafonte herë mamin, herë mua.
(Domeniku teksa priste për vendimin. Momenti që Serxhio e fotografoi dhe e mban si imazh të çmuar)
45068355_318375012292908_4086550172555804672_n.jpg
Ai kishte ditëlindjen para pak ditësh, apo jo?
Po dy ditë më parë, mbushi 9 vjeç. I organizuam një festë bashkë me motrat e Nënë Terezës. U lumturua shumë. Tani u ka hyrë në zemër edhe të afërmve. Se a e din? Ai të bën për vete me dashninë e tij.
Ti ke një raport vërtet special me të…
Po, pa më puthur mua nuk ikën flen. Kur dal më thotë: Nini, mu! (Nini më merr dhe mua).
A e ke një mesazh për të gjithë ata të cilët i shohin disi ndryshe këta fëmijë?
E di si është kjo punë? Më parë, vetëm u flisja njerëzve, mundohesha t’i bëja të kuptonin por arrita në përfundimin që kjo nuk është çështje të kuptuari, është çështje të ndjeri. S’mundesh ti të edukosh apo t’ia mësosh dikujt. Unë edhe sot, sa herë dal me Domenikun, dikush e sheh për mirë, dikush me çudi. Ne nuk kemi akoma vizionin e duhur për ta kuptuar e pranuar.
Kush e ndjen, e bën dhe kaq.
(FOTO: Serxhio, motra e tij dhe Domeniku, familja e madhe)