Prindër e të rritur, kur fëmijët grinden, mos kërkoni fajtorin, ja cfarë duhet të bëni..

1480
0

Shpesh shohim fëmijë që grinden me njëri tjetrin, sidomos kur ka diferencë moshash, po edhe ndërmjet moshatarësh, sidhe ndërmjet, vëlla motër apo motra me motrën dhe vëlla me vëlla. Këto sherre ndërmjet fëmijëve, as nuk duhen injoruar as nuk duhen ekzagjeruar. Fëmijët po mësojnë si të ndërtojnë marrëdhënie me njeri tjetrin, duke kontrolluar ndjesitë e tyre.

Po mësojnë të kontrollojnë inatin kur nuk ndihen mirë apo veprimi i tjetrit nuk u shkon përshtat. Ata po mësojnë dhe ndërtojnë kufijtë e veprimeve dhe fjalëve, që mund të përdorin ose jo. Po mësojnë se kur tejkalojnë të drejtën duhet të kërkojnë të falur dhe, kur humbin në lojë, nuk kanë pse mërziten.

Pra po ndërtojnë e mësojnë etikën e komunikimit me tjetrin, nëpërmjet fjalës apo inatit dhe forcës. Një faktor I rëndësishëm në këtë proces rritje dhe të mësuari, është qëndrimi dhe sjellja e të rriturve. Nëse I rrituri kërkon fajtorin, që ka mërzitur tjetrin apo më të voglin, bën vetëm dëm. Padashur, gati i vendos fëmijët njëri kundër tjetrit.

I rrituri duhet tu tregojë fëmijëve anët e positive kur fëmijët ishin të qetë dhe luanin me njëri tjetrin apo kur djali apo vajza, që për çastin janë të zemëruar, e ka ndihmuar apo dhuruar një gjë që e ka kënaqur. Apo fëmija që është treguar i dhunshëm dhe ka prishur lojën, duke e qetësuar, i kërkohet të kërkojë të falur dhe i flitet me takt se ata janë shokë, shoqe apo motra e vëllezër dhe sëbashku po mësojnë të bëhen të rritur.

Të jesh i rritur do të thotë, të mos sillesh keq me tjetrin. Kur nuk ndihesh i qetë, mund të largohesh sa të qetësohesh dhe më pas mund të vazhdoni lojën apo të rrini bashkë. I rrituri i tregon se edhe ai, kur ishte sa ata, ka bërë të njëjtën gjë, pra grindej apo qante kur zihej me shokët apo vëllanë apo motrën, por dalëngadalë falë prindërve, edukatorëve dhe mësuesve, mësoi dhe kuptoi që ata ishin njëlloj të parritur dhe po mësonin si të ishin sa më të duruar me veten dhe tjetrin për të qenë shokë të mirë dhe motër e vëlla apo motër motër dhe jo të huaj.

Njerëzit, që zihen apo sillen keq me tjetrin, janë njerëz që nuk kanë zhvilluar aftësinë për tu rritur. Prindër e të rritur, kur fëmijët grinden mos kërkoni fajtorin, por ndihmojini të qetësohen dhe të kuptojnë se po mësojnë si të ndërtojnë marrëdhënie me njëri tjetrin. Si të kontrollojnë emocionet e tyre dhe si ti përballojnë ato. Kur nuk dini ti ndihmoni, mos ndërhyni mes tyre. Po të keni pak durim do të shikoni, se për pak kohë, ata do të rifillojnë vetë të afrohen me njëri tjetrin dhe të luajnë përsëri. Lira Gjika