Dashuria dhe sakrificat e një nëne ishte tema kryesore e historisë së parë që u trajtua natën e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”. Një nënë të cilën jeta e kishte detyruar të rriste e vetme djalin e saj, Mirjanin.
Resmija ishte martuar me Nuriun dhe nga kjo martesë kishte ardhur në jetë Mirjani. Problemet ekonomike e kishin detyruar Nurin që të emigronte për në Greqi. Fatkeqësisht Mirjani nuk e pati kurrë mundësinë që të njihte babain e tij.
Një aksident fatal në punë i kishte marrë jetën Nurit kur Mirjani kishte qenë dy muajsh. Mungesën e babit Mirjani e kishte ndjerë gjithmonë dhe shpesh shprehej që nëse do ta kishte babanë pranë jeta e tij do të ishte ndryshe.
Ëndrra më e madhe e tij ishte që të bëhej një futbollist i madh. Puna dhe vullneti bënë të mundur që ai të bëhej porter i parë i skuadrës në të cilën zhvillonte stërvitjen. Por një aksident me makinë kishte ndërprerë ëndrrën e Mirjanit.
Për t’i dhënë kurajo Mirjanit, Resmija me ndihmën e kushërirës, Silvanës e kishin ftuar atë në program.
“Mirjan, mami të do shumë dhe shpresoj që të të plotësohet çdo dëshirë që ke në jetë. Do të të qëndroj pranë deri në fund të jetës sime”. Ky ishte mesazhi që Resmija i dha Mirjanit.
Të ftuar specialë për Mirjanin, djali i cili nuk mund të luante futboll për shkak të një aksidenti, ishte ekipi i “Partizanit”.
Ishte vetë kapiteni i ekipit të “Partizanit”, Idriz Batha, i cili në emër të të gjithë skuadrës i dha këtë mesazh Mirjanit.
“E dimë se çdo të thotë të dëmtohesh duke luajtur futboll sepse shumica pej nesh kanë pësuar një dëmtim. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të dorëzohemi, përkundrazi duhet të bëhemi më të fortë se sa kemi qenë në fillim. Futbolli nuk është vetëm një lojë, është një sfidë të cilën duhet ta përballosh dhe të bëhesh çdo herë më i fortë”.
Meqë ëndrra me e madhe e Mirjanit ishte që të bëhej pjesë e skuadrës së “Partizanit”, ata i dhuruan një set veshjeje të skuadrës së tyre.
Në fund djemtë e “Partizanit” i uruan Mirjanit që një ditë edhe ai të bëhej pjesë e kësaj skuadre.