Feti Egra, një qytetar në Tiranë thotë se në vendin ku ka varret e fisit të tij, rreth 20 vendpushime të atyre që kanë ndërruar jetë, po rrëshqet toka dhe eshtrat po dalin në sipërfaqe.
Fetiu ka marrë ustallarë, për të ngritur një rrip betoni 1 metër të lartë dhe 6 metra të gjerë, por ustallarët nuk ia bëjnë, pasi e quajnë ndërtim pa leje.
“Ne ndodhemi tek varrezat e trungut familjar të Egrave, pikërisht te varret e gjyshit, babës dhe familjes sime të vjetër. Unë kam këtë problem, po rrëshqet dheu dhe po dalin në sipërfaqe kockat e prindërve e gjyshërve. Desha të bëja një brez betoni vetëm për të mbrojtur dheun që të mos më rrëshqasë nga varrezat. Kontaktova disa ustallarë, por ata më thanë që duhet të marrësh leje, nuk na lejojnë sepse na kap policia. E quanin ndërtim pa leje. Varri më i vjetër mund të jetë 120-140 vjeçar, që i përket gjyshit tim. Deri tani janë 29 varre. Fillimisht u paraqita tek Njësia Bashkiake Kashar, ata nuk më orientuan dot. Më thanë që ne nuk e bëjmë dot, sepse nuk e kemi me certifikatë pronësie. Më pas më thanë që ik tek Drejtoria e Funeraleve, aty më thanë që nuk e kemi në inventar, nuk është pronë e bashkisë, se po të ishte do e riparonim ne”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesi.
Administratori i zonës, Xhevahir Koçi thotë se ky është një shqetësim serioz. Ai premton se do të flasë me të gjitha institucionet, për ta zgjidhur këtë situatë.
“Si banor i vjetër duke ditur se të njëjtën gjë mund të kem edhe unë nesër. Se këto janë ruajtur si vende vakëfe, i themi ne, që nuk është i askujt. Por, ligji nuk ta lejon, i bie që të marrësh leje për këtë copë pune. I bie që t’i japim zgjidhje shumë shpejt duke u marrë personalisht me bashkinë sepse është rasti i parë që na ka ndodhur”, tha administratori i zonës, Xhevahir Koçi.