Plazhi i fukarenjve

885
0

Nga Edison Ypi

Fukarenjtë tanë nuk janë pisa dhe leckamanë si fukarenjtë e Londrës, Romës, Athinës. Tanët lahen, krifen, ngrifen, pispillosen, vishen me rroba të mira, lëvizin me makina të shtrenjta, hanë e pinë e gromësijnë si derra, fryjnë barkun, trashin qafën, jetojnë nëpër shtëpi të reja dhe vila, bëjnë biznes, udhëtojnë “jashtë shtetit”.

Por pavarësisht nga këto truke për të mos u dukur të varfër, fukarenjtë tanë diku janë, diku ndodhen, dhe, që tu zbulohet hilja, tu çirret maska, tu merret erzi, duhen gjetur sido që të jenë maskuar.

Ekziston një vend ku fukarenjtë dhe fukareshat tona nuk maskohen, duan-s’duan dalin cullak, plazhi.

Në pamje të parë duket sikur plazhi dhe fukarenjtë nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Plazhi është vend luksi. Ku shpenzohen pare që fukarai nuk i ka. Shkohet me makinë që fukarait i mungon. Ka restorante të shtrenjta që fukarait s’ja mundësojnë xhepat e çarë. Megjithatë, ata që na interesojnë më tepër për tua çjerrë maskën, fukarenjtë e Tiranës, të cilët detin dhe plazhin i kanë aq afër, vajtjen në plazh me makinë dhe restorantin e shtrenjtë, mund t’i zëvëndësojnë fare mirë, të parën me vajtjen në plazh me autobuz , të dytën, pra restorantet, me nje specialitet të stërnjohur që e kanë praktikuar me dhjetra vite, legjendaren “bukë me vete”.

Plazh ku fshihen fukarenjtë e Tiranës në këto ditë zhegu ndodhet në skajin verior të gjirit të Lalzit, në Shën Pjetër.
Rrugës drejt Shën Pjetrit, ç‘emër i bukur për një plazh fukarenjsh që korentin e vjedhin, ujin s’e paguajnë, jo rrallë thonë se s’kanë të hanë as bukë thatë, mungojnë, jo vetëm autobuzat që kushtojnë pak, por edhe mjetet e tjera të transportit për fukarenj; biçikletat, karrocat, furgonat. Atëhere del pyetja; Si venë në Shën Pjetër fukarenjtë e Tiranës ?! Më këmbë ? Mbi biçikleta përmes shtigjeve të fshehta?

Kur i afrohesh pishave të Gjirit të Lalzit në atë kthesën e gjithnjohur ku po t’ja mbash nga e majta arrin tek fshatrat turistike të parellinjve me hotele të shtrenjta, restorante të kripura, dhe po t’ja therësh nga e djathta drejt Shën Pjetrit vete tek fukarenjtë me lokale të thjeshta, makina modeste, mu aty konstaton një çudi; Ndërkohë që makinat e zakonshme ikin nga e majta drejt vilave të parellinjve, makinat e shtrenjta ikin nga e djathta drejt çadrave modeste të fukarenjve. Do jetë ndonjë mirazh, ndonjë iluzion optik shkaktuar nga vapa, them me vete, dhe vazhdoj për atje ku jam nisur, nga e djathta e fukarenjve.

Me të hyrë tek plazhi i fukarenjve, shtangesh. Nga të dy anët parkingje të stërmëdhenj ku mërzejnë nënë hije me qindra makina nga markat më të shtrenjtat; Mazda, Mitsubishi, Toyota, Benza. Kaq shumë makina të shtrenjta sa në plazhin e fukarenjve të Tiranës nuk i gjen dot në 100 Struga, 50 Ohra, 20 Ulqina, 10 Prishtina, 5 Shkupa.

Pak më tutje, të tjerë parkingje edhe më të mëdhenj, me të tjera qindra e qindra makina të shtrenjta të panumurta.
Mos vallë parellinjtë me fukarenjtë kanë ndërruar vendet, zonat, plazhet, makinat ? Pyes dikend. Jo, aspak. Në plazhin e parellinjve po ato vila të heshtura si kështjella ku natën dalin fantazma, po ato lokale të shtrenjta pothuajse bosh brenda, askush që të luaj me top në rërë, po ato makina të zakonëshme, po ata VIP-a të ngathët dhe pordhacë që i shohim përnatë në televizor, po ato femra të lodhura shtrirë mbi peshqira.

Plazhi i fukarenjve në Shën Pjetër është një Kaliforni harkore kilometrike plot me fukarenj, çadra dhe peshqira. Duket sikur të gjithë fukarejt e Tiranës kanë zbarkuar aty. Misra të pjekur, sende plazhi si t’i duash, varka me qera për të shëtitur. Diku, pak si mënjanë, një jaht. Pak më tutje edhe një tjetër.

Një restorant i pastër dhe i rregullt, qënka “gjatë gjithë vitit hapur”. Pra në plazhin e fukarenjve, fukarenjtë ardhkan edhe në dimër.

Një tjetër lokal i ngjajshëm paralajmëron “ju lutemi mos fusni makinat brenda”. Ku brenda? Brenda në lokal?

Një piktor bohem po vizaton mbi qafën një Monalize lokale një çelës solfezhi.

Dy djem dhe një vajzë janë përkulur mbi një celular po kërkojnë në Google Earth Fortesën e Skënderbeut që ndodhet te Kepi i Rodonit vetëm dy kilometra më tutje.

Nja njëzet burra e gra, të rinj e të moshuar të cilët i pyeta; A je fukara ? u përgjigjën, njëri duke vënë dorën në brez ku mbante një kobure që për fat nuk e nxorri. Një tjetër bëri një xhest neverie dhe më ktheu kurrizin. Një zonjë e moshuar elegante dhe e mbajtur, sa dëgjoi fjalën “fukara”, u alivanos. E sollën në vete me kompresa të ftohta, se do kishte vdekur.

Lokalet e fukarenjve, megjithse modeste krahasuar me ato të parellinjve, kanë gjithçka për të ngrënë dhe për të pirë. Por janë të çuditëshme çmimet; Nga 10 deri në 20 dollarë pjata me 400 gram peshk të skuqur. Ku i gjejnë fukarenjtë gjithë këto pare ?

-Ore, i them një pronari lokali, a janë të vërteta këto çmime, apo ju pronarët keni bërë ndonjë komplot me fukarenjtë që të duken parellinj ?

-Ehu, tha pronari, këta ta thyejnë kokën me pare.

Femrat fukaresha janë më të bukura se femrat parellesha. Me një ndryshim. Fukareshat nuk pranojnë të fotografohen. Parelleshat për tu fotografuar paguajnë.

Ja tre fukaresha shalgjata me brekë aq të vogla sa për tua parë, duhet tu largosh mullaqet e rrumbullakëta.
-E di me çfarë ngjan ti ? i them njërës.

-Aman ma thuaj, se vdes ta di.

-Me Skraparin.

Qeshin.

-Po pse me Skaraparin, dhe jo me Laçin, të cilin e kam qef më tepër ?!

-Sepse aq shumë male, kodra, hone, gremina, lumenj, përrenj, sa ke ti vetëm Skrapari ka.

-Mirë, jam e lumtur që më krahasove me Skraparin. Dëgjo, dhe afrohet që ta dëgjoj vetëm unë, ta fal Poliçanin, po deshe edhe Gurin e Miçanit, veç aman më thuaj si të duket kjo mikesha ime, kjo e bëshmja.

-Ti je si Mallakastra, i them tjetrës.

-Ua, po pse ? ma pret e bëshmja.

-Sepse trafikun drejt jugut ta ka marrë autostrada.

E mbajtur por pak e thyer në moshë, hidhet e treta;

-Zoti gazetar, a mund të ma thoni troç si j’u dukem unë, ë ?

-Ti më dukesh si Dumreja. Me liqene të pashterrshme si në përralla, kodra të buta të magjishme, por pa pyje, se pyjet i preu kurvi nga frika se mos fshiheshin diversanta.

Pasi largohem nga fukareshat e lumtura dhe të bukura, pyes një buçko që u shet peshqira me ngjyra fukarenjve me Mazda dhe Benza,

-Si duken punët këndej ? A ka fukarallëk?

-Ka shumë fukarallëk.

-Pse?

-Sepse e kam lexuar në gazetë. E kam parë në televizor.

Kalojnë njëra pas tjetrës dy Toyota dhe tre Range Rovera.

Në Golf 4 dikush ka futur brenda të gjithë katundin; Veten, nënën, babën, nusen, tre fëmijët, për t’i prurë të nxihen në plazhin e fukarenjve. Dua t’a pavdekësoj këtë pamje madhështore me anë të një fotografie. S’kishte qënë e thënë. Më pengoi një mesoburrë që me siguri do ketë qënë spiun. Sa s’ja plasa të qarët. Sipas spiunit nuk duhet të dali në gazetë që në plazh venë edhe fshatarët.

Duke u kthyer, diku dikush ka braktisur tezgën ku shet rrush. Por ka lënë një tabelë; “Rrush i freskët vendi për tavolinë”. Ky rrushi “për tavolinë”, a mund të hahet mbi sofër, ose në tokë, ose duke ecur?

Pak më tutje tre djem po shoqërojnë një lopë drejt lumturisë. Në një vend ku lopën do ta mbarsi një mzat tip gigolo alla Richard Gere, i cili për këtë mbarsje kërkonte nga lopa 10 dollarë.

Një 76 vjeçar me në sup, në krahë dhe në duar, bel, kosore, cfurk, sëpatë, po kthehet nga ara i lodhur dhe i lumtur ku ka vajtur që pa gdhirë për të korrur.

Vetëm fukarenj nuk pashë as në plazh as rrugës. Por përderisa e thonë neandertalët e gazetave dhe televizioneve, fukarenj Shqipëria ka. Fukarejtë tanë diku janë. Këtë herë nuk munda ta zbuloj ku ishin fshehur ata dreqër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.