Pipero tregon se kur merr fund pandemia: Nuk e rekomandoj vaksinimin per ata që e kanë kaluar Covid-19

432
0

Mjeku i QSUT Pëllumb Pipero, i cili u vaksinua ndër të parët nga bluzat e bardha në vend, në një intervistë tregon se vaksinimi padyshim është një fazë e rëndësishme e kësaj pandemie.

Mjeku shpjegoi se njerëzit nuk duhet të jenë skeptik për të bërë vaksinën dhe ai mendon që personat që e kanë kaluar virusin Sars-Cov-2 nuk duhet të bëjnë vaksinën pasi kanë mjaftueshëm anti-trupa. Gjithsesi, ka një përplasje me Silva Binon e cila thotë se të gjithë duhet të vaksinohen.

“Vaksina shënoi fillimin e fundit të kësaj pandemie,” shprehet mjeku.

Doktor, si jeni ndjerë pas vaksinimit, a keni pasur efekte anësore?

Ndjehem shume mirë, kam pasur dhimbje në vendin e injektimit 3-4 ditë, por jo dhimbje e fortë, e durueshme, madje cilësohet e zakonshme pas aplikimit të kësaj vaksine!

Si funksionon M-ARN e cila po cilësohet si arritja me e madhe e shkencës në dekadën e fundit?

Mendoj se vaksina e re, bazuar ne M-ARN, nuk është vetëm një arritje e madhe e shkencës por dhe një mundësi e madhe për t’ju përgjigjur në kohë më të shpejtë kësaj pandemie dhe çdo pandemie të mundshme në të ardhmen. Është një teknologji shumë novatore e cila nuk bazohet me në përdorimin e viruseve të “dobësuar” të cilët nuk shkaktojnë sëmundje por stimulojnë prodhimin e antikorpeve mbrojtëse duke mundësuar imunitet specifik, por ndonëse rrallë ndonjëherë shkakton edhe një sëmundje të ngjashme të lehtë, për shembull “grip ngjasuese” në rastin e vaksinës ndaj influencës stinore, por në atë që quhet ARN mesangere, e cila stimulon prodhimin e antikorpeve specifike mbrojtëse, madje edhe kujtese imunologjike efektive dhe kësisoj mbrojtje afatgjatë!

A duhet ta bëjnë vaksinën personat që tashmë e kanë kaluar Covid-19?

Unë kam pasur dhe kam mendimin se personat që e kalojnë Covid-19 me ose pa nevojshmëri klinike, jo vetëm përballin një sfidë, por edhe krijojnë imunitet natyral, i mjaftueshëm dhe i vlefshëm për një kohë relativisht të gjatë, ndoshta për gjithë jetën, kjo ngelet për t’u parë natyrisht, ndaj mendoj se nuk e kanë të rekomanduar vaksinimin, madje nuk e kanë as të nevojshëm edhe pse nuk ju bën dem, përkundrazi! Gjithsesi varet nga udhëzimet e OBSH dhe politikave lokale ta aplikojnë apo jo vaksinën, në ketë rast unë do mendoja që ata të ishin fasha e fundit për ta aplikuar.

Në dijeninë tuaj çfarë kujdesi duhet të kenë personat që marrin dozën e parë të vaksinave?

Duhet të bëjnë të njëjtin kujdes, pra të përdorin maskën, të ruajnë distancën dhe të kenë kujdesin e duhur për higjienën e duarve. Madje ky kujdes duhet të na shoqërojë të gjithëve deri në fund të kësaj pandemie.

Duke nisur nga një vëzhgim i Gazetës “Si” qytetarët ishin disi skeptikë për të bërë vaksinën. A e rrezikon kjo imunitetin e tufës?

Do ju rekomandoja të gjithë qytetarëve të mos jenë skeptik, të vaksinohen të gjithë, natyrisht duke respektuar programin e hartuar nga specialistet dhe të jenë të sigurt jo vetëm për faktin që kjo vaksine ka fare pak efekte anësore, madje të lehta, sikundër mund të jetë një dhimbje e lehtë në vendin e aplikimit, ndonjë here edhe skuqje apo të përziera, e mbi te gjitha është shumë efektive!

Për sa i përket virusit. A ka ndryshuar ai nga gjendjet klinike me të cilat përballeni çdo ditë? A kemi raste të varianteve të reja të virusit, nga qasjet klinike?

Në praktikën klinike, ende nuk kemi ndonjë eksperience e cila të lidhet me viruset e “reja” qarkulluese, por dua të ritheksoj se gjatë kësaj pandemie rrallë kemi parë dy pacientë që të kenë klinikë të ngjashme si të thuash plotësisht, pasi përgjigja ndaj këtij virusi është tërësisht individuale, në varësi të përgjigjes imunitare.

Sipas mendimit tuaj kur mund t’i shohim rezultatet e vaksinimit?

Mendoj se rezultatet e vaksinimit duhen pritur pasi të vaksinohen së paku 20% e popullsisë, dhe fundin e shpejtë të pandemisë pasi të jenë vaksinuar mbi 60% e popullsisë. E sigurt është që vaksina shënoi fillimin e fundit të kësaj pandemie!/ Gazeta “SI”