Perkeqesohet situata ne vend. Rekord me të infektuar diten e sotme, ja cfare ndodhi 24 oret e fundit

468
0

Është përkeqësuar situata nga koronavirusi në vend. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit është shënuar shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë, ku janë konfirmuar 36 raste të reja.

Gjatë orëve të fundit janë testuar 359 persona të cilët janë dyshuar për Covid19 dhe prej të cilëve kanë rezultuar 27 raste në Tiranë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnje dhe 1 në Lezhë.

Përfaqësuesja e Shëndetit Publik, Silva Bino u shpreh se kjo nuk është rastësi. “Të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave e them dhe njëhërë, të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit.

Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim”, u shpreh Bino.

Bashkë me rritjen e ndjeshme të rasteve të reja të infektuar me koronavirus, është rritur edhe numri i personave të shtruar në spital i cili ka shkuar në 41.

Ndërkohë që vijon të jetë i qëndrueshëm numri i personave në gjendje të rëndë.

“Ajo që është e rëndësishme të theksojmë sot është që kemi një rritje të rasteve të cilët po trajtohen pranë shërbimit infektiv, të cilat janë 41 raste dhe prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar”, njofton ISHP.