Përballuan me sukses valen e pare, Gjermania rikthen kufizimet

707
0

Gjermania është vënë në alarm për një valë të dytë infektimesh. Kjo pasi numri i riprodhimit efektiv të virusit, ose siç njihet nga ekspertët “R”-ja është pothuajse trefishuar për tre ditë.

Gjermanët ishin ndër të parët që lehtësuan masat e kufizimeve pasi ishin një ndër vendet që e përballuan me sukses koronavirusin si pasojë edhe e politikës së testimeve masive.

Por niveli i infektimeve është rritur pasi njerëzit dolën nga karantina dhe bizneset nisën të rihapen.

“R”-ja është numri mesatar i njerëzve që  infekton një i prekur nga një virus. Nëse qëndron nën 1 atëherë virusi është duke u shkatërruar.

Por “R”-ja shkoi në 2.88 të dielën në Gjermani. Pra 100 persona që kanë virusin mund të infektojnë 288 persona të tjerë.

Të shtunën numri i riprodhimit ishte 1.79, ndërsa të premten, 1.06. Ndërkohë në momentin që u lehtësuan masat, “R”-ja ishte 0.7.

Autoritetet gjermane në Rhine-Westphalia të veriut kanë rivënë edhe njëherë masat e kufizimit pas shpërthimit të koronavirusit në lidhje me një fabrikë që shërbente për mbështjelljen e mishit.

Karantina u vendos në zona lokale pasi 1 500 punonjës të fabrikës Tonnies rezultuan pozitivë. Autoritetet deklaruan se masat parandaluese në distriktin e Gutersloh do të zgjasin deri më 30 Qershor.

Në këtë zonë jetojnë rreth 360 000 njerëz. Kjo është lëvizja e parë që ndërmarrin autoritet pas heqjes së kufizimeve në Maj. Frika për një rritje të numrit të të infektuarve është shumë e lartë.

Disa prej zyrtarëve të lartë e kanë përshkruar shpërthimin e virusit në fabrikë si një nga incidentet më të mëdha të sëmundjeve infektive në vend.

Tashmë në zonë do të mbyllen të gjitha muzetë, kinematë, palestrat, ndërsa restorantet do të shërbejnë vetëm nëse e merr me vete ushqimin.

Në rrugë nuk do të lejohen grumbullimet dhe një person ka mundësi të takojë vetëm një person tjetër e jo më shumë.