“Pedagogët zhvatin studentët, 700 euro për një provim”

512
0

Voltiza Duro – Studentët e universiteteve publike në vend, jo rrallëherë detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme parash kundrejt notës. Abuzimet nga pedagogët vazhdojnë të jenë të pranishme, ku më famëkeqi rezulton Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, ku të rinjtë kanë paguar edhe 500 apo 700 euro për të marrë një provim. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arbjona Çibukaj, studente te Departamenti i Gazetarisë, njëkohësisht edhe aktiviste e lëvizjes “Për “Universitetin” tregon se ka pasur raste ku studentët janë penalizuar për faktin se nuk kanë blerë libra (autorë të të cilëve janë pedagogët e lëndës), e madje nuk lejohen që t’i fotokopjojnë. Më tej, studentja shton se në tryezat e diskutimit janë denoncuar edhe raste të ngacmimeve seksuale në auditore.

Lëvizja “Për Universitetin” ka ngritur shqetësimin për mitmarrjes në universitetet publike. Pse erdhi një reagim i tillë nga ju?
Ne gjithnjë kemi ngritur shqetësimin e mitmarrjes në takimet që kemi zhvilluar nëpër fakultete. Në tryezat e fundit të diskutimit po vërenim që studentët po merrnin edhe më shumë guxim për të denoncuar qoftë në këto takime, qoftë duke na u drejtuar në faqen tonë. Kjo e bëri më të lehtë edhe për ne që të kishim prova përtej rasteve që njihnim nga përditshmëria jonë në fakultet.
Në tryezat e diskutimit ka pasur studentë që kanë treguar mbi këtë abuzim?
Studentët kanë sjellë raste ku janë penalizuar për faktin se nuk kanë blerë librat me detyrim, libra që jo rrallë janë plagjiaturë dhe pa shtëpi boutese. Po ashtu, një pjesë e tyre edhe pse më të rezervuar, kanë denoncuar rastet e mitmarrjes nga disa pedagogë, shumën që merrnin, sekserët e tyre etj.


Cilat janë fakultetet më problematike ku pedagogët korruptohen?
Në çdo fakultet ka pedagogë problematikë si për shitjen e librave, si për mitmarrje, por më famëkeqi mbetet Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, Universiteti i Mjekësisë, apo edhe universitetet publike të rretheve.
A keni informacion sesa para kërkohen kundrejt notës te Fakulteti i Shkencave të Natyrës?
Ne e kemi përmendur edhe në aksionin e fundit që kemi bërë tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Një numër i konsiderueshëm i pedagogëve shantazhon me notën në këmbim të shumave të larta deri në 700 euro. Studentët që kanë përfunduar studimet, si dhe ata që vazhdojnë të jenë studentë në atë fakultet, na kanë treguar që kanë paguar 500 euro apo 700 euro për të marrë një provim.
Ju personalisht a jeni prekur nga ky abuzim?
Unë deri më sot, nuk jam prekur nga ky abuzim, por jam në dijeni të shumë rasteve të tjera që kanë ndodhur. Në Departamentin e Gazetarisë, ku unë studioj ka pasur raste të shitjes së librave me detyrim. Ndërkohë, që në departamentet e tjera apo fakultetet e tjera nuk mjaftohen me kaq.
Ka shumë raste që nxënësit detyrohen të blejnë libra, autorë të të cilëve janë vetë pedagogët e lëndës. Sa mundësi keni ju si studente t’i përballoni këto çmime?
Shumat janë të papërballueshme, përpos faktit që shumica e librave të bërë nga pedagogët e lëndës janë pa shtëpi botuese dhe shiten me listë në audiotor, apo na tregojnë fotokopjen ose kancelarinë jashtë fakultetit se ku mund t’i blejmë. Çmimet janë tepër të larta duke marrë parasysh që nuk është vetëm një kurs. Fakti që nuk na lejojnë as fotokopjen, me pretekstin se është e drejta e autorit, ku libri as shtëpi boutese nuk ka, është ku thërret qameti. Po edhe sikur të mos ishin të kushtueshme, nuk është normale që të bëhet presion për të blerë libra. Më shumë jemi fokusuar te problem më masiv si tek mitmarrjes dhe shitja e librave, por studentët nuk ngritën vetëm këto probleme. Është e frikshme që ankesat nuk kanë të mbaruar. Studentët kanë denoncuar dhe raste të ngacmimeve seksuale.
Pse mendoni se ndodh mitmarrja në universitete?
Pyetjes pse nuk mund t’i japim një përgjigje “të prerë me thikë”. Unë nuk e di çfarë i shtyn këta pedagogë të abuzojnë me detyrën, unë di që kjo gjë duhet të marrë fund sa më shpejt dhe ne jemi duke punuar për këtë. Për sa u përket teorive që qarkullojnë se këta pedagogë marrin ryshfet vetëm nga studentë të cilët duan notë kaluese, nuk është e vërtetë, në të kundërt nuk do kishte pakënaqësi nga një student që nuk studion, i cili do ndihej i lumtur që ekzistojnë pedagogë të tillë. Si dhe, edhe sikur të mos studionin studentët, pedagogu sërish nuk mund të lëshojë nota në këmbim të parave, është shkelje ligjore.
Si mund t’i jepet fund këtij fenomeni?
Zgjidhja e këtij problemi rrënjësor e degradues për universitetin ka nevojë për marrjen e masave ndaj këtyre pedagogëve nga administrata e universiteteve. Në raste të provave dhe dëshmive të bëhet jo vetëm pushimi nga puna i këtyre pedagogëve, por edhe ndjekja penale e tyre për abuzim me detyrën. Si dhe një tjetër formë mund të jetë përmirësimi i proceseve të riprovimit ku studentët të mos hasen në këtë proces me pedagogun e kursit përkatës, transparencë me notat duke i publikuar, detyrimi për lënë 6 kopje të paktën në bibliotekë për pedagogun e çdo kursi që ka librin e tij si bazë etj. Administrata në rastin më të mirë është indiferente, në më të keqin bashkëpunëtore pasi votat e këtyre palo pedagogëve u duhen për zgjedhjet universitare.
Lëvizja “Për Universitetin” a do të vazhdojë me aksionet e saj kundër abuzimeve të tilla?
Lëvizja “Për Universitetin” është duke vazhduar me aksione të tilla. Momentalisht jemi duke mbajtur tryeza diskutimi në çdo fakultet publik, në mënyrë që të mësojmë më tepër rreth problematikave që kanë studentët si dhe çfarë zgjidhje mund t’u japim problemeve bashkarish.