Pasi e shpalli Qytetar Nderi, Xhelal Mziu bën gjestin e madh për Ramush Haradinaj

654
0

Kryetari në detyrë i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, i ka vendosur emrin Ramush Haradinej një rruge.

Kjo një ditë pasi Kryeministri i Kosovës dha dorëheqjen për t’u vënë në dispozicion të Gjykatës së Hagës. Disa vite më parë Bashkia e Kamzës e ka shpallur kryetarin e AAK, “Qytetar Nderi”.

Në një reagim të shpërndarë për mediat Bashkia Kamëz vlerëson aktin e Haradinajt i cili tregoi jo vetëm profilin e tij prej shtetari por njëherazi vendosi të sakrifikojë nga vetja për Kosovën dhe kombin shqiptar.

Kujtojmë se Mziu ka vendosur një sërë emrash të çuditshme në rrugët e Kamzës që nga Sali Berisha, George Bush, Moxart, Manhatan, Paris, Meksikë, Dubai etj.

Deklarata e shpërndarë nga Bashkia Kamëz

Ramush Haradinaj me dorëheqjen e djeshme tregoi të qenit një shtetar i vërtetë pasi është një patriot dhe atdhetar këtë e ka treguar çdo ditë të jetës së tij.

Haradinaj tregoi se sakrifikon nga vetja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për gjithë shqiptarinë. Me dorëheqjen prej një burri të vërtetë shteti tregoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se sa herë të kërkohet do të shkoj para drejtësisë jo si kryeministër i Kosovës por si Ramush Haradinaj.

Bashkia Kamëz ka nderin që një rrugë të qytetit tonë ti vendos emrin e tribunit të lirisë dhe atdhetarisë Ramush Haradinaj me vendim të Këshillit Bashkiak.

Kujtojmë që tashmë Ramush Haradinaj është njëri prej nesh për thjeshtësinë që e karakterizon por edhe se ai është Qytetar Nderi i Kamzës, si dhe prej sot një prej rrugëve mban emrin e tij. Jemi me ty Ramush, të bindur në pafajësinë tende dhe misionin tënd për lirinë e Kosovës dhe shqiptarisë. Askush nuk ka mundur të gjunjëzoje sado që ka tentuar. Ti Ramush ke ditur t’ia dalësh me karakterin tënd fisnik dhe pastërtinë e figurës tënde. Ti je një shtetar i vërtetë ndaj qëndro siç ke ditur t’ia dalësh pabesive. Jemi me ty.