Paralajmërimi i kreut të OBSH-së: COvid-19 nuk do të jetë pandemia e fundit..

321
0

27 dhjetori do të jetë Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë Epidemike. Sot shënohet dita e parë e thirrur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për parandalimin, gatishmërinë dhe partneritetin kundër epidemive.

Në fjalimin virtual në Ditën Ndërkombëtare të Gatishmërisë për Epideminë, e cila do të mbahet çdo vit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se COVID-19 nuk do të jetë pandemia e fundit që do të njohë bota.

Kreu i OBSH bëri thirrje se duhet të investohet në përgatitjen e kapaciteteve për t’u përballur me një pandemi të tillë.

Sipas tij COVID-19 ka çoroditur botën duke lënë pasoja afatgjata për shoqëritë dhe ekonomitë e vendeve. Ai shtoi se bota duhet të mësojë nga e shkuara për të qenë më të përgatitur.

“Çdo përpjekje për të përmirësuar shëndetësinë do të dështojë nëse nuk adresohet pika kritike që bashkon humanët dhe kafshët, si dhe krizën ekzistenciale të ndryshimeve klimatike që po e bën tokën gjithmonë e më pak të banueshme. Historia na ka treguar se kjo nuk do të jetë pandemia e fundit e se epidemitë janë fakt i jetës. Por investimet në shëndetin publik, me mbështetjen e të gjithë qeverive dhe shoqërive për një qasje të përbashkët për shëndetin (One Health), mund të garantojnë që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre të trashëgojnë një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, tha Tedros Adhanom.

Qasja “One Health” synon to ndërtojë e zbatojë programe, politika, legjislacione dhe hulumtime për përmirësimin e komunikimit midis një sërë sektorësh për arritje më të mëdha në shëndetësi.