PANUCCI SHPALL LISTËN PËR MIQËSOREN TURQI-SHQIPËRI

873
0

Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Christian Panucci shpall listën e lojtarëve të cilët ka grumbulluar për ndeshjen miqësore të datës 13 nëntor në Antalia me skuadrën përfaqësuese të Turqisë. Sikundër është bërë tashmë traditë, çdo të premte para grumbullimit, trajneri bën publike listën e lojtarëve. Për këtë ndeshje miqësore, mister Panucci ka grumbulluar 25 futbollistë, ku mund të veçohen lojtarët e rinj, Astrit Ajdarević që luan me AEK, si edhe Ylber Ramadani që luan në Danimarkë me skuadrën e Veljes. Sipas një rakordimi me trajnerin e skuadrës kombëtare A dhe të U-21, Ylber Ramadani do ti bashkohet skuadrës në datën
11 nëntor, pasi do të jetë i angazhuar me skuadrën kombëtare U-21 në takimin zyrtar eleminator të datës 10 nëntor në Tiranë. Ndërkaq, në listën e trajnerit Panucci, nga kampionati shqiptar, përveç portierit Alban Hoxha është edhe futbollisti i Skënderbeut, Sabien Lilaj. Skuadra përfaqësuese e futbollit do të grumbullohet ditën e hënë pasdite në Antalia, ku për 6 ditë do të përgatisë atje edhe ndeshjen miqësore me Turqinë.