Panucci përlotet live në emision, çfarë e emocionoi trajnerin e Kombëtares

390
0

Christian Panucci prej më shumë se një viti është zhvendosur në Shqipëri në rolin e trajnerit të Kombëtares. Edhe pse jeton prej kaq kohësh në vendin tonë, ai është tejet i rezervuar përsa i përket intervistave përtej sportit. Por sot, ai ishte i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku foli edhe për djalin e tij Huan.

“Djali im quhet Huan dhe bën 18 vjeç në Mars. Kur ishte 13 vjeç ishte 1.82 i gjatë. Ka luajtur basketboll dhe tani luan futboll. Për mua është e rëndësishme që të bëjë sport dhe të argëtohet dhe të bëjë atë që dëshiron në jetë. Është shumë e drejtë që ai të gjejë rrugën e tij”, tha Panucci teksa fliste për djalin.

Por gjatë emisionit, ai mori edhe një mesazh nga djali i tij, i cili i uroi fat me Kombëtaren Shqiptare ndërkohë që tha se e di që babai i tij e ka me merak.

“E di që nuk e prisje këtë mesazh nga ana ime. Doja vetëm të të thoja që të uroj më të mirat në çdo gjë babi. E di që je një person që jep më të mirën tënde në çdo gjë, si në punën tënde brenda në fushë, në jetën tënde dhe atë të të tjerëve. E di që çdo mundim i joti në çdo gjë që bën do të shpërblehet në rezultate. Do doja të uroja fat të mbarë me Shqipërinë, mbi të gjitha se e di se sa merak e ke. Të dua shumë”, tha Huan.

Ndërkohë që shihte videomesazhin, trajneri nuk i mbajti dot lotët dhe i emocionuar tha se nuk e priste mesazhin nga Huan.