“Nuk lejoj LGBT në shkollën time, nuk kanë se çfarë t’u tregojnë nxënësve”

593
0

Nga Lindita Bushgjokaj

Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi, komenton propagandën e përfaqësuesve të komunitetit LGBT në disa shkolla të mesme të kryeqytetit, duke u shprehur se nuk mund të imponojë zgjedhjet personale të fëmijëve, por e drejta është që t’u mësohen vlerat e mira, të cilat i ka dhënë Zoti

Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se çdo program që i shërben edukimit është e lejuar në shkolla, dhe se punojmë mbi strategjitë e hartuara nga Ministria e Arsimit për problemet e ndryshme që kalojnë adoleshentët. Ndërsa pohon, se në shkollë është e lejuar që të diskutohet çdo temë, pasi problemet ekzistojnë dhe është më mirë të përballesh me to pa ndikuar zgjedhjet personale të secilit. Drejtoresha tha ndër të tjera, se nuk do të lejojë aksesin e komunitetit LBGT në shkollë, pasi nuk kanë se çfarë t’ju tregojnë nxënësve, por do të ftonte njerëz të artit si shembuj për t’u ndjekur. Ajo u shpreh se nuk mund të imponojmë zgjedhjet personale të fëmijëve, por e drejta është që t’ju mësojmë vlerat e mira, të cilat i ka dhënë Zoti.

Znj. Dobi, keni patur takime në gjimnazin tuaj me aktorë të LGBT?

Nxënësit sapo kanë fituar një olimpiadë dhe kjo punë është njëra prej 1 milion punëve që ne bëjmë. Nuk e kuptoj se pse është dhënë kaq rëndësi, sepse nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Ministria e Arsimit ka disa strategji për të gjithë dhe ne e kemi diskutuar atë në kuadrin e bullizmit, arsyet se pse dhunohet një njeri, i cili mund të ketë defekte në pamje, sepse këta janë adoleshente dhe paragjykojnë njëri-tjetrin. Kjo preferenca seksuale e secilit është një zgjedhje personale. Është diskutuar me 30 nxënës në një orë mësimore dhe njeriu nuk duhet të paragjykohet. Janë gjëra personale të tij dhe nuk duhet ta bëjnë që të ndihet keq. Ne nuk i kemi dhënë rëndësi dhe nuk e kemi përdorur këtë term aq të madh “shkencor” LGBT. Na emocionuat me këtë!

Në fakt, qeveriave e ka miratuar me anë të një VKM-je bashkëpunimin e aktorëve të LGBT dhe aksesin e tyre në institucione të ndryshme, ku përfshihet dhe arsimi. Si e konsideroni këtë akt nga ana e qeverisë?

Ato janë në programet mësimore nga shkencat sociale. Nuk i lejon njeri të kenë akses në shkollë. Ka të tilla të mirëfillta që punohet nëpër shkolla, pasi në shkolla diskutohet çdo gjë, pakicat sociale dhe bullizmi. Të gjitha gjërat që të shkojnë në mend, çdo gjë që ka Evropa do t’i marrim dhe ne, me të mirat dhe të këqijat.

Po nëse informacione të tilla transmetohen nga aktorë të komunitetit LGBT…?

Unë nuk lejoj njerëz të tillë në shkollën time. Këto janë në kuadrin e strategjive që Ministria e Arsimit ka për romët dhe egjiptianët, mbi bazën e të cilave punojmë. Arsimi prek çdo çështje që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve. Ky fenomen ekziston në Shqipëri dhe në gjithë botën. Përderisa ekziston, ne mund të mos e pëlqejmë dhe mos të duam që fëmijët tanë të jenë ashtu ose edhe mund të duam, kjo varet nga zgjedhjet që kanë njerëzit. Kjo është hartuar në kuadrin që njerëzit nuk duhen paragjykuar, pasi janë zgjedhje personale.

Si është menduar të transmetohen informacione të tilla në shkollë, ka një lëndë apo një orë specifike për këto tema?

Kjo është një nga shumë çështjet që preket nga lëndët shoqërore, për më shumë mund të pyesni specialistët e këtyre lëndëve. Është zmadhuar shumë dhe jam e shqetësuar për këtë gjë, t’i vijë turp dhe politikës që merret me budallallëqe të tilla.

Znj. Dobi çfarë rekomandoni ju për menaxhimin e informacioneve të kësaj natyre për ndalimin e prirjeve të padëshiruara seksuale të nxënësve-adoleshentë?

Fenomenet ekzistojnë dhe nxënësit e dinë paraprakisht, ndërsa zgjedhjet janë personale. E mendoj, se është e drejta e fëmijës të zgjedhë atë që i pëlqen, ne duhet t’i tregojmë gjërat e mira dhe e mira është ashtu siç e ka dhënë Zoti.