“Nuk e di nëse e kalon vjeshtën”/ Ura mbi lumin Shkumbin ne gjendje alarmante (Video)

125
0

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës shkatërrimin e një ure mbi lumin Shkumbin, në afërsi të qytetit të Peqinit. Një urë lidhëse e qytetit me dy njësi Administrative, Gocaj dhe Shezë, me popullsi prej 13 mijë banorësh. Ura, e ndërtuar në vitin 1986, është e shkatërruar. Këmbëve të urës i ka dalë hekuri, ndërkohë që lumi Shkumbin ka gërryer edhe mbrojtëset e lumit. Gjendja është alarmante, ndërkohë që dëmtime ka edhe në asfaltin sipër si dhe në mbajtëset e urës.

Por, edhe problematike është se sipër nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese. Në të dyja anët e urës nuk ka tabela lajmëruese për përdoruesit e urës në lidhje me dëmtimet apo edhe me tonazhin aktual. Bashkia e Peqinit, e cila është “pronarja” e kësaj vepre arti, nuk ka vendosur asnjë sinjalistikë, ndërsa mbi të kalojnë çdo ditë automjete të tonazheve të ndryshëm.

Madje, edhe furgonë me pasagjerë, të cilët nuk kanë informacion real në lidhje me urën. Parmakët mbrojtës janë rrëzuar, ndërkohë çarje ka edhe asfalti, ku janë hapur disa gropa dhe ka filluar të shkëputet asfalti.

“Fiks Fare” bisedoi me inxhinierin Xhevair Ngjeqari, i cili tha se gjendja është tejet alarmante. “Duhet ndërhyrje emergjente. Nuk e di nëse e shtyn edhe këtë vjeshtë apo dimër me këto dëmtime.

Nga ajo që konstatoj, nuk ka pasur asnjë mirëmbajtje. Këmbët po i merr lumi” thotë inxhinieri.

Më tej, ai apelon për më shumë kujdes ndaj të tilla veprave të artit, të cilat rrezikojnë të shëmben. “Të merren masa sa nuk është vonë” pohon inxhinieri.

Pas këtij konstatimi, “Fiks Fare” u interesua edhe në Bashkinë e Peqinit. Drejtori i Urbanistikës, Ervin Jube, tha se ura është në administrimin e bashkisë, pasi konsiderohet lokale, duke qenë se lidh dy Njësi Administrative, Gocaj dhe Shezë. Ai thotë se bashkia ka bërë ndërhyrje të vogla, por gjendja është emergjente.

“Kemi bërë disa herë konstatime. Gjendja është emergjente. I kemi dërguar shkresa Ministrisë së Transporteve, por s’kemi marrë asnjë përgjigje” thotë drejtori. Sipas tij, Bashkia e Peqinit, nuk ka fonde për rehabilitimin. “Nuk kemi fonde. Kemi kërkuar prishjen dhe bërjen e një ure të re. Gjendja është shumë e keqe, pasi ka rënë niveli i ujit i Lumit Shkumbin” vijoi Jube, ndërsa pyetjes se përse nuk janë vënë tabela informuese, ai tha se “shumë shpejt do t’i vendosim”.