Ngjarje makabër në Elbasan: 58-vjeçari vret kunatën në rrugë, largohet me vrap me sëpatë në dorë

123
0

Një ngjarje rëndë ndodhi këtë të mërkurë në Elbasan. Një 58-vjeçar vrau me sëpatë kunatën e tij, 44-vjeçaren Alma Qevani. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kusarth, në rrugë, për shkaqe momentalisht të panjohura.

Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar i identifikuar si Tefik Tashi, u largua në drejtim të fshatit Bradashesh. Policia thotë se ai u gjet me sëpatë në dorë dhe me duart me gjak, duke u larguar me vrap. 

44-vjeçarja mësohet se fillimisht mbeti e plagosur dhe ndërroi jetë në spital.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, gjatë kontrollit në territor, në fshatin Bradashesh, kanë konstatuar një shtetas, me një sëpatë në dorë dhe me duart me gjak, i cili po ecte me vrap. Shërbimet e Policisë janë vënë vënë në djekje dhe kanë bërë kapjen e shtetasit Tefik Tashi, 58 vjeç, banues në fshatin Shirgjan, Elbasan dhe kanë shoqëruar atë në Komisariat.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas, rreth orës 13:00, në fshatin Kusarth, në rrugë, ka goditur me sëpatë motrën e bashkëshortes së tij, shtetasen Alma Qevani 44 vjeçe, banuese në Kusarth, e cila është dërguar në spital, ku si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën. Sëpata është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, thuhet në njoftimin e policisë.

Detaje nga ngjarja makabre në Elbasan, gazetari: Si u arrestua rastësisht autori me sëpatë në dorë

Këtu në këtë rrugë fshati, ku shenjat e gjakut janë mëse të dukshme, 58-vjeçari Tefik Tashi i mori jetën kunatës së tij, Alma Qevani. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kusarth, rreth orës 13:00 të kësaj të mërkure. Fillimisht 44-vjeçarja mbeti e plagosur dhe u dërgua në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar largua drejt fshatit fqinj, Bradasheshit, atje dhe ku u arrestua, siç tregon gazetari Fatos Salliu, krejt rastësisht. Kjo pasi në fakt policia ishte mobilizuar për të kapur autorin e dyshuar të një plagosjeje me armë të ndodhur po gjatë ditës së sotme, në Peqin.

E teksa kërkonin për personin në fjalë, që nuk është arrestuar ende, në rrugë u doli Tefik Tashi duke vrapuar. Ishte e dukshme që sapo kishte kryer një krim, pasi siç raporton edhe vetë policia, në dorë mbante ende sëpatën dhe duart i kishte plot gjak.

Sa i përket motiveve të ngjarjes së rëndë, paraprakisht gazetari Fatos Salliu thotë se mes palëve kishte konflikte të vazhdueshme.

58-vjeçari mësohet se bashkëjetonte me motrën e viktimës në të njëjtën shtëpi ku jetonin të dyja motrat.

Në momentin e krimit Tashi dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Gazetari Fatos Salliu thotë se 44-vjeçarja ka marrë plagë të shumta në trup, duke ia bërë të pamundur që të mbijetonte./tvklan.al