Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku një i mitur 15-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri, gjatë një konflikti të çastit që ndodhi brenda një picerie.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 17:10. I mituri, i cili punonte si kamerier në picerinë ku ndodhi incidenti, u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.
Nga të dhënat e para, dyshohet se plagosja ndodhi aksidentalisht gjatë një sherri për motive të dobëta. Mësohet se 15-vjeçari dhe autori nuk kishin pasur konflikte të mëparshme, ndërsa përplasja nisi mes autorit dhe personave të tjerë.
Policia dhe grupi hetimor mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, por për shkak të vijimit të hetimeve, identiteti i tij nuk bëhet ende i ditur.