Nga i pastrehë në pronar i 23 shtëpive e 2 lokaleve, Si u pasurua prokurori Ndoja

1029
0

Në deklaratën e pasurisë në vitin 2003, rezulton se Ndoja nuk ka pasur as shtëpi, ndërsa në vitin 2016 prokurori ka në pronësi 23 apartamente, dy lokale, disa bodrume, garazhe dhe makina luksi.

Nga të dhënat e siguruara nga gazeta Shqiptarja.com, rezulton se ai në vitin 2003 ka deklaruar vetëm një makinë benz tip ‘190’ me vlerë 200 mijë lekë, pagën e tij si prokuror dhe një pagë modeste të bashkëshortes si juriste.

Në vitin 2004, kur edhe është larguar nga funksioni i prokurorit, Ndoja deklaron 500 mijë lekë pagën si dhe 28 mijë euro të ardhura si avokat.

4 vite më vonë, kur ai emërohet sërish si prokuror, ndodh lëvizja e parë e madhe në pasuri, ku Ndoja deklaron 2 lokale, 2 apartamente si dhe dy makina ku njëra me vlerë 34 mijë euro. Ndërkohë nuk jepen të dhëna për burimin e të ardhurave për krijimin e këtyre pasurive të konsiderueshme

Në vitin 2013, rezulton një tjetër lëvizje e madhe në pasurinë e çiftit Ndoja. Bashkëshortes së Arian Ndojës, Elderina Frrok Ndoja, e cila ka përfaqësuar si avokate një shtetas për të marrë 45 mijë metra katror tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit , befas i dhurojnë 6 prona në Durrës me sipërfaqe 196 211 metra katrorë.

Një muaji më vonë Elderina Frrok Ndoja deklaron se i ka dhuruar një personi dy pronat e para që i kishin dhuruar asaj, pronën me sipërfaqe 79 434 metra katrorë dhe 112 277 metra katrorë.

Në vitin 2014, prokurori deklaron 50 % të një trualli në Shëngjin me sipërfaqe 2008 m2, përfituar me shkëmbim, por nuk jepet asnjë e dhënë rreth pasurisë, më të cilën është bërë shkëmbimi. Po gjatë këtij viti deklaron se ka lidhur një kontratë sipërmarrje.

Në vitin 2016 zbulohet se kontrata e sipërmarrjes është lidhur me kompaninë ‘Rafaelo 2002’, tek e cila ka punuar më parë bashkëshortja e prokurorit. Nga kjo kontratë, Arian Ndoja ka përfituar në Shëngjin 21 apartamente dhe tre bodrume.