Nga emigrant në shtetas europian, shqiptarët jo vetëm po largohen, por po braktisin përfundimisht vendin

77
0

Nga emigrant në shtetas evropian. Përherë e më shumë shqiptarët po heqin dorë nga pasaporta e vendit të lindjes për të marrë atë të një shteti që u ofron më shumë, së paku në një drejtim, atë të ekonomisë.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se gjatë vitit të shkuar pati 844 kërkesa për lënie shtetësie, 14 më shumë se në 2022-shin.

“Kjo është një vulë që këta të rinj, individë apo familje do të kenë një përqindje edhe më të ulët për t’u kthyer në Shqipëri.”, thotë Eldisa Cirogu, eksperte e emigracionit.

Pjesa më e madhe e atyre që heqin dorë nga shtetësia janë në grup-moshën 30 deri në 39 vjeç, ndjekur nga ata 40-49 vjeç. Po çfarë po i detyron shqiptar, veçanërisht të rinjtë që të ikin pa kthim?

“Po normal. Të gjithë do të largohen. Për një jetë më të mirë. Janë pagat, por edhe jeta e përditshme që detyrojnë të ikim.”, shprehen studentët.

Të dhënat tregojnë se në 10 vitet e fundit ka pasur 5 mijë e 811 kërkesa për leninë e shtetësisë shqiptare. Më shumë se sa numri i përgjithshëm, më shqetësuese është ecuria rritëse në vite e braktisjes së pasaportës.

“Është një formë dorëzimi. Efektet po i ndjejmë. Nuk është perceptim. Po hasim një krizë demografike. Do vuajmë ndoshta një krizë sociale. Kjo për shkak se mungojnë politikat.”, thotë Eldisa Cirogu.

Sipas të dhënave nga Instituti Europian i Statistikave, më shumë se 521 mijë qytetarë shqiptarë kanë marrë në 20 vitet e fundit shtetësinë njërit nga vendet e Bashkimit Europian.