Nëna lehonë në burg, e moshuara në kushte të vështira kujdeset për nipin: Kam vetëm një kerkesë, të ma sjellin nusen në shtëpi

81
0

E përlotur nga lodhja dhe dëshpërimi, Zyfe Bahçja kërkon që nusja lehonë të kthehet pranë foshnjes e cila ka vetëm pak ditë që ka lindur. Rasti i paprecedentë në drejtësinë shqiptare ku nëna është e ndarë nga foshnja vetëm 8 ditëshe për t’u çuar në qelitë e burgut 313 ka sjellë një situatë dramatike në familjen Bahçja në Drisht të Postribës në Shkodër. Gjyshja thotë se foshnja ka nevojë për gjirin dhe ngrohtësinë e nënës dhe i lutet organeve të drejtësisë të vënë dorën në zemër.

Gazetarja: Zonjë, sot jeni e detyruar të ribëheni nënë. Sa e vështirë është për ju kjo situatë, kjo gjendje?

Zyfe Bahçja: Është e vështirë sepse jam e lodhur vetë, se nuk përtoj. Nuk përton njeri t’i bëjë hysmet fëmijës së tij. Dua të më sjellin nusen, kërkesë tjetër nuk kam.

Babai i foshnjes, Nazmi Bahçja thotë që kërkon që gruaja të kthehet në familje pasi për të është shumë e vështirë të mbajë familjen dhe të kujdeset për fëmijën e po ashtu t’i gjendet pranë gruas e cila është edhe ajo në gjendje të vështirë.

 “Shumë vështirë për Zotin, plus ça ka vuajtur e dhimbja që ka, edhe këtu vuajtja shumë e madhe.”

Diana Bahçja u arrestua 8 ditë pasi lindi djalin e saj, pasi një gjobë e papaguar për të cilën nuk kishte dijeni, iu konvertua në 50 ditë heqje lirie. Avokatët kërkojnë që dënimi të kryhet pasi fëmija të mbushë 1 vjeç ndërsa kërkojnë pezullimin e urdhërit për lirimin e nënës. Nga ana tjetër ka patur një sensibilizim të qytetarëve të Shkodrës për të paguar gjobën prej 250 mijë lekësh të reja, por edhe për të ofruar qumësht dhe pelena për Nelidionin e vogël.