Skip to content

Në tryezën e Arta Markut shkon një letër, përmbajtja e saj është shqetësuese

    Me shqetësim, Partia Demokratike ka ndërmarrë një tjetër hap në funksion të zgjedhjeve të para disa javëve.

    PD kërkuar zyrtarisht hetimin e 30 qershorit nga prokurorja e përkohshme e përgjithshme.

    Siç njofton selia blu, numri dy i kësaj force politike nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover thekson se organi i akuzës, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184dhe 339, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.

    PD, me anë të kësaj letre shpreh hapur mosbesimin e opozitës për Arta Markun, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.

    “Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.

    Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” – thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

    Po ashtu PD rendit të gjitha shkeljet e ligjit, të vëna në dukje prej saj, nga media, misioni ODIHR-it para, gjatë dhe pas 30 Qershorit, si presioni ndaj punonjësve të administratës shtetërore, blerja e votave, mbushja e kutive të votimit, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga 4 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.

    Këto janë 7 pika kyçe që rrëzojnë si të paligjshëm 30 Qershorin, sipas PD:

    Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.

    Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.

    Cënimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve

    Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.

    Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.

    Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.

    Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj.