Ne prag te fushates elektorale, “Facebook” u bën thirrje partive politike shqiptare: Beni kujdes me..

470
0

Kompania “Facebook” njoftoi diten e hënë se partitë politike shqiptare duhet të jenë transparente për mënyrën se si ato financojnë reklamat e tyre politike në këtë rrjet social, përpara zgjedhjeve parlamentare të muajit prill.

Në një deklaratë nga kompania “Facebook” thuhet se duke filluar nga dita e enjte “të gjitha reklamat elektorale dhe politike në Shqipëri duhet të vijnë nga reklamues të autorizuar dhe të identifikojnë burimin duke theksuar se janë “Të paguara nga…”” .

Në 25 prill, në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata elektorale pritet të jetë masivisht në mediat sociale, përfshirë Facebook-un.

Autoritetet shëndetësore kanë marrë masa të rrepta sa i përket pandemisë: ndalim qarkullimi gjatë natës, përdorimin e detyrueshëm të maskave dhe nuk janë të lejuara grumbullimet me më shumë se 10 persona.

Që nga qershori i vitit 2019, kompania “Facebook” ka ndryshuar politikat e transparencës së reklamave, duke iu mundësuar reklamuesve që të bëhen të autorizuar kur krijojnë reklama politike, të vendosin pohime “Të paguara nga…” në reklamat e tyre dhe të fusin reklamat e tyre në bibliotekën e reklamave për shtatë vjet.

Zgjedhjet post-komuniste në Shqipëri gjithmonë janë kontestuar fort dhe shpesh janë dëmtuar nga parregullsi gjatë fushatës dhe ditën e votimit, duke përfshirë pretendime të blerjes së votës dhe manipulime gjatë numërimit të votave.

Një raport i mirë nga vëzhguesit ndërkombëtarë mbi zgjedhjet e 25 prillit do të jetë kusht kryesor që Shqipëria të fillojë negociatat e plota për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, blloku dha dritën jeshile, por ende nuk ka caktuar datën për fillimin e bisedimeve.