Ndryshon leja e qarkullimit/ Nga sot, futet formati i ri, ja cfare duhet te dini

365
0

Nga sot, leja e qarkullimit të automjeteve do të ndryshojë formë e përmbajtje: do të duhen më pak para e kohë për ta marrë dhe vlefshmëria e saj i kalon kufijtë e Shqipërisë.

Këto janë vetëm disa nga risitë që vijnë me lejen e re, e përputhshme me direktivën e Bashkimit Europian. Është Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ajo që bëri publik lajmin bashkë me formatin e ri, për të dytën herë brenda një harku kohor gjashtëmujor.

Në 20 tetor të 2020- s, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, firmosi urdhrin që parashikon ndryshimin e lejes që do të hynte në fuqi në 15 janar të vitit 2022, sipas njoftimit nga vetë kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja. Për arsye që nuk u bënë publike, implementimi u shty deri këtë të hënë.

LEJA E RE

Ashtu si në foton bashkëngjitur shkrimit, leja e re do të jetë në format më të vogël se e mëparshmja, me tri pjesë, më praktike e rezistente, si dhe me çdo të dhënë të mjetit të kodifikuar. Për këdo që do t’i duhet leje qarkullimi, nuk do të ofrohet në vlerën e 3500 lekëve, por me 40% më pak, 2100 lekë.

Për më tepër, nuk ka as afat skadence dhe as vula kolaudimi. Pra, nuk bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale. Duke qenë se përmban dhe unifikon të dhënat e mjetit, rrjedhimisht eliminon certifikatën e pronësisë.

Të dhënat e pasqyruara në të do të jenë të gjitha ato që kërkohen sipas kodeve të BE-së, si regjistrimi për herë të parë, viti i prodhimit, qiramarrësi e të tjera. Edhe nga pikëpamja e sigurisë, formati i ri ka elemente shtesë që eliminojnë shanset për falsifikim.

“Leja e re është shumë rezistente, nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet. Leja e re përmban elementet e sigurisë si: watermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndritshme e integruar në materialin e letrës me dizajn të personalizuar!

Leja e re do të ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi i DPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite e të tjera”, citohet në njoftimin e DPSHTRR, ku specifikohen karakteristikat kryesore të dokumentit të ri që do të dalë në treg që sot.

Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re, sipas drejtorisë, do të jenë speciale, çka bën që manipulimi të dhënave të jetë zero.

VLEFSHMËRIA

Detyrimin për t’u pajisur me lejen e re të qarkullimit nuk e kanë të gjithë ata që posedojnë automjete. Zëvendësimi nuk është me detyrim. Por, kush kryen një veprim me mjetin, i humbin letrat, ndërron targat, ndërron pronësinë ose ka një shërbim që kërkon ndërrimin e lejes, do të pajiset me formatin e ri të saj.

Sigurisht, iu jepet kjo mundësi edhe atyre që do të duan të pajisen me lejen e re, e cila duhet nënvizuar që nuk ka afat skadence. Sipas përllogaritjeve të DPSHTRR, çdo vit, mbi 150 mijë qytetarë/subjekte që konsumojnë shërbime për regjistrime të reja mjeti, ndërrim pronësie, humbje/ dëmtim, ndryshime konstruktive, e shërbime të tjera dhe do të pajisen me Lejen e re të qarkullimit, do t’u kursehen 210,000,000 lekë të rinj, ose 1.75 milionë euro.

Në të gjithë vendin figurojnë afro 753 mijë mjete aktive, referuar informacioneve që posedon Drejtoria e Transportit Rrugor, si dhe leje drejtimi aktive numërohen 976 mijë e 518. Në të parin vit, kur shërbimi i kontrolleve teknike është marrë në duar të shtetit, janë ofruar mbi 2,7 milionë shërbime, përfshirë dhe të tjera veç kolaudimit. /panorama