Ndryshon kursi për patentën, shtohet praktika

2229
0

Marrëveshja mes Drejtorisë së Transportit Rrugor, Tatimeve dhe Shoqatës së Auto-shkollave që parashikon rritjen e kostos për pajisjen me patentë, pritet të hyjë në fuqi pas pak ditësh. Kryetari i Shoqatës së Auto-shkollave thotë se çmimi, nga 45 mijë lekë që ishte deri tani, do të shkojë në 85 mijë lekë.

“Programi mësimor konsiston në 15 ditë, do të bëhen 36 orë teori dhe ky program mësimor teorik kushton rreth 30 mijë lekë. Ndërsa, janë 34 seanca praktike të detyrueshme të cilat janë 40 minuta në 25 ditë që pak a shumë shkon te 55 mijë lekëshi.”

Gjinaj shpjegon dhe arsyen e rritjes së çmimit.

“Do të largohen sekserët nga tregu, do të largohet paligjshmëria dhe biznesi do të jetë në kushte të barabarta ligjore. Është hera e parë që biznesi po formalizohet, po rregullohet.”

Pagesat e auto-shkollës do të bëhen përmes bankës, në dy këste të ndryshme. Shoferit të ri i duhet të paguajë edhe 8 mijë lekë shtesë në momentin që pajiset me kartën e patentës në fund.