Ndodh ne Shqiperi/ Mjekja iku ne Gjermani, ja si vizitohen fshataret në Fier në mes te pandemisë

378
0

3 mijë banorë të tre fshatrave të Fierit kanë mbetur pa mjek familje prej tre vitesh kohë kur mjekja që shërbente aty u largua drejt Gjermanisë. Prej asaj kohe, bluza e bardhë u shkon vetëm një herë në javë edhe tashmë që jemi në mes të pandemisë e kur roli i mjekut të familjes është aq i rëndësishëm.

“Doli doktoresha në pension, erdhi një tjetër. Qëndron sa qëndroi dhe iku në Gjermani.”

Që kur mjekja e fundit u iku në Gjermani, rreth tre vite më parë, banorët e fshatrave Mujalli, Greçalli dhe Daullas në Fier vuajnë për të marrë shërbimin mjekësore bazë, aq i rëndësishëm tashmë në mes të pandemisë së koronavirusit.

“Mungon ndihma, mjekun e  familjes nuk e gjej dot, nuk mbulon dot vetëm recetat”.

Mjeku shkon pranë tyre vetëm një ditë në javë, ndërsa ditët e tjera po ta kërkojë nevoja, janë banorët që duhet të kërkojnë bluzat e bardha.

Në raste urgjence udhëtojnë drejt qendrave të tjera shëndetësore ose spitalit të Fierit.

“Duhet të presim të mërkurën që të marrim rekomandimin dhe më pas të shkojmë në Fier.”

Tre fshatrat përllogaritet se kanë rreth 3 mijë banorë, të cilët kërkojnë zgjidhje për këtë shqetësim jetik.

“Ju falenderoj ju si media, se ne si popull po flejmë gjumë. Halle kanë dhe hallet nuk dinë ku ti trajtojnë.”

Mbi 3 mijë mjekë përllogaritet të jenë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Europë, ku rreth 1 mijë prej tyre numërohen në Gjermani.

Për të frenuar fenomenin ngriti qeveria pagat dhe ofroi shpërblime, por shumë zona zona rurale në vend vuajnë mungesën e mjekut të familjes.