Tifozët e parë holandezë kanë mbërritur në Shqipëri, në pritje të finales së Conference League, ku ekipi i tyre Feyenoord do të ndeshet me italianët e Romës.
Mbrëmjen e djeshme ata janë mbledhur në një nga lokalet në kryeqytet, ku kanë krijuar një atmosferë të pazakontë me këngët e tyre në mbështetje të ekipit. Dhjetëra holandezë kanë kënduar në kor poshtë pallatit ku banon ish-kryeministri Sali Berisha, por zhurma që ata kanë shkaktuar ka shqetësuar banorët e pallatit.
Këta të fundit për t’i bërë holandezët të pushojnë u kanë hedhur ujë dhe sende të forta tifozëve holandezë, teksa në vendngjarje ka mbërritur edhe policia. Pavarësisht veprimit të banorëve, tifozët holandezë nuk i kanë ndalur këngët e tyre, pasi për ta, udhëtimi në Shqipëri është një festë, të cilën shpresojnë ta kurorëzojnë me fitimin e Conference League.