Nard Ndoka revoltohet keq me portalet: Më armiqësuan me 3 djemtë e mi..

564
0

Duket se Nard Ndokës, kreut të Partisë Demokristiane i ka sosur durimi.

Ai shprehet tejet i indinjuar me disa portale lajmesh, që sipas tij fjalët e tij janë shtrembëruar dhe kanë sajuar informacione të pavërteta vetëm për të marrë disa klikime më shumë.

Sipas Ndokës, ai ka deklaruar si llogari bankare një shumë prej 900 eurosh, ndërsa në portale e shkruajnë 900 mijë.

Madje, aleati i Bashës tregon se lajme të kësaj natyre e kanë futur në sherr edhe me fëmijët e tij, ndërsa së fundmi është përballur me një numër të madh telefonatash dhe mesazhesh, pasi kanë lexuar se “Nard Ndoka ka deklaruar 900 mijë euro në llogarinë e tij bankare”.

Statusi i plotë:

Këto portalet tona i ka kapur virusi i klikimeve, si “sëmundje ngjitëse”: shpif apo gabon njëri portal dhe i referohen të gjithë të tjerët!

Pa standarde, pa rregulla, pa vërtetësi, pa konfirmim, pa asnjë burim; jo më me dy burime sipas rregullit bazë të gazetarisë!

Unë deklaroj 900 euro në llogari bankare; njeri portal e bën 900 mijë euro, tjetri shkruan mbi 900 mije euro, të tjerët e bëjnë lajmin me “copi 5”.

Kur kërkon një sqarim, apo përgënjeshtrim, të përgjigjën: “jemi referuar një lajmi te X portali”, që në fakt është anonim!

Si fillim, me armiqësuan me tre djemtë e mij; “pse mor babo shkojmë e punojmë kamajera në Maltë ne, kur paske mbi 900 mijë euro në bankë?

Pastaj plasën telefonat dhe sms-të; njëri kërkonte borxh, tjetri më shkruante; pse smë paske treguar!

Një nga zona elektorale më tha: “Pse nuk na dhe asnjë euro në fushate për vota, mbasi paske mbi dy milion euro?!

Hajde portale hajde; me një kërkim mund ta vërtetoni saktësisht në faqen zyrtare të ILDKPKI-së, me një sms mund të merrni konfirmim edhe nga une.

Nga 900 euro ne 900.000, janë tre zero më shumë, si veshtirë për tu shkruar gabim, apo ngatërruar!

Aq më tepër se shkruhet saktësisht; se Nard Ndoka ka deklaruar vetë mbi 900 mijë euro!

Gjithsesi fjala e juaj në veshin e qeverisë.