Për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit në orët në vazhdim, Autoriteti Portual i Durrësit ka njoftuar se do të pezullohen lundrimet e trageteve nga Durrësi drejt Barit (Itali) dhe anasjelltas.
Lundrimet e trageteve në linjat Durrës-Bari dhe Bari-Durrës do të pezullohen të dielën, më 12 janar, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike të parashikuara për nesër.
Kapiteneria njofton se janë pezulluar lundrimet e dy trageteve nga Durrësi dhe dy trageteve nga Bari. Ndërkohë, lundrimet në linjën Ankona-Durrës dhe anasjelltas do të vazhdojnë normalisht.
“Nisjet dhe mbërritjet për linjat Durrës-Bari dhe Bari-Durrës, datë 12.01.2024, janë anuluar për shkak të erës së fortë me drejtim Veri-Lindje dhe forcë 8 në Adriatikun Jugor. Lundrimet për linjën Ankona-Durrës për të njëjtën datë do të funksionojnë si zakonisht”, njofton Kapiteneria.
Njoftim për Situatën Hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe Masat e Nevojshme
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 12.01.2025, duke filluar nga ora 22:00 e datës 11.01.2025, kushtet hidrometeorologjike do të jenë në drejtimin JUG-JUG-PERËNDIM, me forcën e erës deri në 6-7 bft dhe shpejtësi ere deri në 15-20 m/s, si dhe lartësi dallge prej 1.50 deri 2.00 metra.
Për të parandaluar çdo situatë të papritur që mund të shkaktohet nga kushtet atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Ndalohet paisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë në det të hapur, duke filluar nga ora 22:00 e datës 11.01.2025.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht, sipas destinacioneve përkatëse. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 20:00 të datës 12.01.2025.