“Mos, mos”, nëna e 23-vjeçarit rrëfen si e vrau i biri policin në Fier: S’e ndalova dot djalin..

460
0

Duket se një ndër arsyet kryesore përse hetuesit besojnë se vrasja e efektivit Novruz Cenalia erdhi si pasojë e një konflikti të çastit është dëshmia e nënës së autorit të dyshuar të ngjarjes. Ajo ndodhej në makinë më të birin 23-vjeçar Azgan Mërnica, kur ndodhi vrasja.

“Tentova ta ndaloj Azganin, por nuk munda”.

Kështu mësohet të jetë shprehur përpara grupit hetimor, nëna e autorit të vrasjes së efektivit të policisë së Fierit, e cila në momentin e ngjarjes ishte pasagjere në makinën e të birit.

Dëshmia e saj, ka ndihmuar dhe policinë në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes që rezultoi fatale për efektivin, Novruz Cenaliaj. Sipas Ajete Mërnicës, gjithçka nisi për kalimin në rrugë.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe për një kalim në një rrugë të ngushtë në hyrje të fshatit. Tentova ta ndaloj djalin duke e kapur nga krahu, por nuk munda. Ai zbriti nga makina dhe më pas dëgjova një të shtënë arme”.

Pas këtij momenti 23-vjeçari dhe nëna e tij janë fiksuar nga kamerat teksa largohen me automjetin e tyre. Ky i fundit u sekuestrua rreth 4 kilometra nga vendi i ngjarjes, afër banesës së dajës së autorit.

Aty autori ka braktisur makinën dhe është larguar në këmbë. Për kapjen e tij policia prej së hënës ka nisur kontrolle të shumta në të gjithë Qarkun e Fierit, por deri tani pa rezultat.

Krahas kërkimeve të shumta policia po vijon me analizimin e provave dhe kamerave të sigurisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, që deri tani dyshohet të ketë ardhur pas një konflikti çasti.