Monopatinat do regjistrohen si mjetet motorike, do të përcaktohet dhe mosha e lejuar

169
0

Policia dhe Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor janë duke hartuar disa ndryshime, që kanë të bëjnë me lëvizjen e mjeteve elektrike në rrugë. Specialisti i trafikut urban në policinë rrugore në Tiranë, Gerhard Baka, i ftuar në Klan News tha se pritet të bëhet i mundur identifikimi nëpërmjet një kodi unik të monopatinave që qarkullojnë në rrugët e vendit.

Sipas Bakës, regjistrimi i këtyre mjeteve do të ndihmonte dhe në përcaktimin e numrit të tyre që lëvizin në rrugët urbane.

“Po është e mundur sepse në raste se çdo subjekt tregtar e bën një identifikim të një mjeti që e ka në shitje sigurisht kërkohet të pajiset me një numër shasie, vetëidentifikuese, unike falë bashkëpunimit me DPSHTRR që ne e klasifikuam, e futëm në dispozitat e kodit rrugor dhe aplikuam masat administrative në lidhje me këtë kategori. Shpresojmë që të realizohet edhe kjo sepse është një ogur i mirë që të kesh të dhëna të sakta në lidhje me mjetet që qarkullojnë në rrugë.”

Në ndryshimet e reja të policisë dhe drejtorisë së transporteve pritet të përcaktohet dhe mosha e lejuar për të përdorur skutera elektrikë. Kjo kategori jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrugë të tjera të vendit janë kthyer në një shqetësim për lëvizjen pa respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Policia rrugore ka konstatuar në disa raste drejtues të monopatinave të cilët lëviznin në autostradë, duke u bërë shkak për regjistrimin e aksidenteve të rënda.