Në spital i lanë vetëm dy ditë jetë, gjesti i nënës shpëton jetën të birit

235
0

Drazeli gëzon një emër të veçantë dhe thotë se ndoshta kjo është arsyeja pse Zoti ia ka falur jetën tre herë. Për të shpjeguar këtë arsyetim të tijin, ai nis të rrëfejë në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan historinë e vështirë shëndetësore. Në moshën 22-vjeçare u diagnostikua me gurë në veshka dhe prej aty nisi një kalvar problemesh me shëndetin.

Drazel: Historia ime ka filluar që në vitin 1999, qëkur kam qenë 22 vjeç. Po filloja të këputesha kur isha mirë. Nëna më vuri re që isha i zbehur, sa po vija po zbehesha.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishe ti?

Drazel: Unë kisha dy gurë në veshka gjigandë dhe kur erdhi puna më tha që Drazel “ti duhet t’i nënshtrohesh një terapie shumë të vështirë. Duhet të shkosh në Tiranë, duhet të kesh specialistë për sëmundjen që  ke sepse këta gurë që ke ti të kanë flakur veshkën e saktë të së majtës dhe kjo çikë punon  sa për të të mbajtur në këmbë”. Edhe ashtu bëmë, sipas të thënave të doktorit, u nisëm për në Tiranë dhe më thanë Drazel “ti nuk mund të bëhesh dot këtu se ne e mblodhëm komisionin, por ti duhet të bëhesh jashtë shtetit të operohesh njëherë. Jo se nuk dimë ne, por nuk kemi aparaturat”, para 20 e ca vjetëve më kupton, që në’ 99. Vajtëm në Turqi, kryem operacionin dhe erdhëm shëndoshë e mirë.

3 vite më vonë pas operacionit Drazeli iu nënshtrua dializës sepse azotemia nuk e linte të merrte frymë dhe të urinonte.  Në këtë moment, mjekët e vendosin në dijeni se e vetmja zgjidhje ishte transplanti i organit, që asokohe prindërit e tij nuk e dinin se çfarë ishte.

Pasi e mësuan, ata kryen analizat dhe babai rezultoi me hepatit të fshehtë, ndaj dhuruese mbetej nëna. Në këtë moment, jeta e Drazelit kishte mbërritur në një moment të frikshëm.

Drazel: Doktoresha na mblodhi mua dhe babin dhe tha “edhe dy ditë jetë ka çuni, çfarë do bëni?”

Ardit Gjebrea: Edhe dy ditë jetë?

Drazel: Dy ditë fiks. Brenda 24 orëve mami me babin shkuan te ministrja e Jashtme Arta Dade që ishte dhe deputetja e zonës. E përshëndes atë se ishte një heroinë për mua, edhe ajo.

Ardit Gjebrea: Është zonjë.

Drazel: Është zonjë, vërtet zonjë. I takon një duartrokitje shumë e madhe. Megjithatë i bëri letrat dhe Arta dhe më tha “Drazel ti nesër do ikësh në Turqi” dhe tre shokë që pata aty ata vdiqën, nuk rrojnë sot.

Ardit Gjebrea: Jo ore!

Drazel: Po. Megjithatë ikëm në Turqi pastaj në 2002. Filluam ato terapitë pastaj, analiza e ç’ishin. Megjithatë fillojmë aty, i thanë mamit “ne do bëjmë transplatin ditën e mërkurë, 12 Nëntor”. E kryem dhe transplantin, doli me sukses, u khyem, gëzoja dhe unë një shëndet të plotë si gjithë të tjerët, megjithatë jeta eci normalisht.