Miratohet ligji i ri/ Gjermania kerkon mbi 50 mijë punëtorë nga Ballkani. Ja tre mënyrat për të shkuar në Gjermani

116
0

Gjermania synon që të marrë mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor. Kjo mundesi krijohet pasi qeveria gjermane miratoi projektligjin e ri të emigrimit që synon rritjen e fuqisë punëtore.

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit.

Rregullorja e cila është hartuar që nga 2015 do ju mundësojë shtetasve të gjashtë vendeve, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosje Hercegovisës, Malit të Zi dhe Serbisë qasje më të gjerë në tregun gjerman pavarësisht nëse ata janë të kualifikuar ose jo.

Një ndër kushtet kryesore është që te merret viza e punës duhet së pari që ata të sigurojnë një kontratë të rregullt pune në Gjermani, ndërsa nuk nevojiten njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja per Ballkanin Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat.

Sipas ministrit të Punës të Huajve nga vendet e treta do t’u ofrohen tre mënyra për të shkuar në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve duke bërë edhe disa lehtësime.  

Veç kësaj, kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shkollë profesionale prej së paku dyvjeçare, ka të drejtë të shkojë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit që në vendlindje. Përveç kësaj personave të kualifikuar, do t’u lejohet të punojnë në çfarëdo profesioni, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Por risia kryesore e këtij ligji është sistemi i pikëve, ose Karta e Shanseve. Kjo jep mundësi migrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Sipas mediave gjermane deri më 31 Dhjetor 2022 në Regjistrin Qendror të të Huajve, figuronin rreth 62.000 imigrantë me leje qëndrimi në bazë kësaj rregulloreje.

SISTEMI I PIKËVE OSE KARTA E SHANSEVE

Katër pikë për një kualifikim profesional.

Tre pikë për përvojën e punës

Tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.

Dy pikë për njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes

Dy pikë për moshën e re (nën 35-vjeçare)

Dy pikë për përvojë pune deri dy vjet.

Një pikë për lidhjet me Gjermaninë, pra, nëse ke qëndruar më parë në Gjermani për së paku gjashtë muaj.