Ministria nuk u njeh diplomat, 4 mijë infermierë rikthehen në shkollë dhe u ulet paga

615
0

Në maj infermierët e diplomuar mes viteve 2002-2006 në Universitetin e Mjekësisë morën një njoftim nga zyra e burimeve njerëzore në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, e cila u bënte me dije se diploma e tyre 4 vjeçare nuk konsiderohej më si master shkencor, dhe se veç uljes së pagës që vinte me këtë ndryshim ata duhet të kthenin paratë e marra prej vitit 2015.

Rreth 4 mijë infermierë, një pjesë e të cilëve me mbi 10 vjet eksperiencë pune, u njoftuan se ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte vendosur në nëntor të vitit 2017, se bazuar në ligjin “Për Arsimin e Lartë” të vitit 2015, shkollimi i tyre universitar për 3 vjet e gjysëm në teori, plus gjysmë viti praktikë do të barazvlerësohej tani me diplomën “bachelor” të “Sistemit të Bolonjës” dhe jo me master siç njihej më parë.

Ky vendim është pritur me shqetësim nga infermierët që preken nga ligji, të cilët i thanë BIRN se ishin të frikësuar për vendin e punës ndërsa tani u duhet të riktheheshin në universitet dhe të paguajnë tarifa të kripura për të marrë diplomën e masterit.

“Është një padrejtësi që u është bërë rreth 4000 infermierëve në të gjithë Shqipërinë. E vertëta është se edhe në pagë janë trajtuar më parë si të kualifikuar me master, pasi kishin kryer shtatë semestra plus praktikë,” tha Sabri Skënderi, President i Urdhërit të Infermierëve.

BIRN mësoi se infermierëve të përfshirë në këtë kategori u janë zbritur nga paga rreth 4500 lekë në muaj, ku rreth gjysma i takon parave që kthehen pas dhe pjesa tjetër uljes së rrogës. Por nëse diploma e infermierëve shqiptarë të diplomar deri në vitin 2006 është shvlerësuar në vend, ajo vazhdon të njihet në Gjermani – një vend ku praktikta profesionale merr një vlerë të shtuar dhe shumë mjekë dhe infermierë shqiptarë po migrojë gjatë viteve të fundit.

Në një përgjigje me shkrim ministria e Arsimit i tha BIRN se vendimi i marrë për të zhvlerësuar diplomën e infermierëve ishte i ligjshëm.

“Nuk mund të ekuivalentohen si “Master” diplomat e programeve të studimit që kanë zgjatur më pak se katër vite akademike (8 semestra)”, tha zëdhënësi i ministrisë së Arsimit Mariglen Mërtiri. Ai shtoi se këto diploma patën të njëjtin ekuivalentim edhe në ligjin e mëparshëm për arsimin e lartë të vitit 2007.

Një surprizë e hidhur

Sipas ligjit të arsimit të lartë të miratuar në vitin 2015, diploma e nivelit të parë ka një kohëzgjatje tre vjeçare dhe përfshin jo më pak se 180 kredite europiane, ndërsa programet master variojnë nga 60 deri në 120 kredite, ose midis 1 dhe 2 viteve akademike shtesë. Megjithatë, në dispozitat e tij kalimtare ligji parashkon se “diplomat e programeve të studimit të lëshuara në Republikën e Shqipërisë, që kanë zgjatur së paku, 4 vite akademike (8 semestra) deri në përshtatjen e studimeve sipas parimeve të procesit të Bolonjës, janë ekuivalente me diplomat “Master i shkencave”.

Deri në maj të këtij viti të diplomuarit në vitet 2002-2006 në “Infermieri të Përgjithshme” ishin konsideruar me diplomë të barazvleshme me “master shkencor”. Ata u paguan me shtesë page referuar kësaj diplome të paktën që prej vitit 2015, ndërsa një prej tyre i tha BIRN se pranë fakultetit të Infermierisë u ishte thënë se nuk kishin nevojë për shkollim shtesë.

“Ne kemi kryer studimet e plota dhe në fund të sezonit zhvilluam praktikën, që ishte brenda kurrikulës së studimeve me kohë të plotë, pikërisht praktikën që kemi zhvilluar nuk na e njohin dhe diplomat tona i kanë konsideruar si bachelor,” tha një infermiere, që ka 9 vite punë por që kërkoi të mos identifikohej. Sipas saj, sa herë kanë shkuar në sekretarinë e Fakultetit dhe pyesnin për studime të mëtejshme, u thuhej se nuk ishte e nevojshme, pasi diploma e tyre njihet si master.

Edhe vetë strukturat shtetërore për disa vite e konsideruan master diplomën, duke e refelektuar në pagesë, por në nëntor 2017 interpretimi që iu bë ligjit e ndryshoi këtë përcaktim.

Presidenti i Urdhërit të Infermierëve Sabri Skënderi thotë se problemi është mësuar vetëm sëfundmi, ndërsa shton se nuk është e qartë se çfarë duhet të bëjnë infermierët që bien në këtë kategori.

“Është një problem që ka lindur kohët e fundit dhe të themi të drejtën ka një paqartësi të madhe në këtë proces. Janë rreth 4000 studentë të diplomuar në vitet 2002-2006 që u prekën nga kjo nismë” tha ai.

Sipas Skënderit, edhe nga kontaktet që ka pasur me drejtues të fakultetit të Infermierisë, nuk është arritur në një zgjidhje të qëndrueshme.

“Jemi në kontakt si me ministrinë e Arsimit ashtu edhe fakultetin e Infermierisë për të gjetur një zgjidhje, por deri tani jemi në fazën e diskutimeve, ” su shpreh Skënderi, i cili konfirmoi se nga infermierët ka pasur ankesa të shumta.

Kryetari urdhërit shpreson se problemi do të zgjidhet duke u dhënë infermierëve që përfshihen në këtë grup mundësinë të ndjekin një semestër shtesë për të barzvlerësuar diplomën.

“Edhe në rastin që diplomat e konsideruara me kohëzgjatje 3.5 vjeçare konsiderohen bachelor, mendoj se kjo kategori duhet të trajtohet me kohëzgjatje tre mujore studimi, thjesht për të plotësuar kurrikulat dhe shpresojmë që të ketë diferencim në pagesa, pasi është kosto shumë e lartë për infermierët,” tha Skënderi.

Në të kundërt infermierët që kanë përfunduar studimet dhjetë vite më parë do të duhet të rikthehen edhe një herë në shkollë dhe të aplikojnë në një program master, për të plotësuar kurrikulat shtesë që do të miratohen.

Në fakultetin e Infermierisë pagesat për studimet master shkencor dhe profesional, variojnë nga 120 mijë deri në 200 mijë lekë.

“Është një shumë e papërballueshme krahasur me nivelin tonë të pagave, por në një situatë të tillë jemi të detyruar që të sakrifikojmë, pasi rrezikojmë vendin e punës,” shprehet një infermiere, që kërkoi të mos i citohet emri, Infermjerja shtoi se rifillimi i studimeve do i duhet për rifituar pjesën e humbur të pagës.

Nga ana tjetër Skënderi dhe infermierë të tjerë i thanë BIRN se nuk ishte normale që praktika e bërë në një semestër nuk është njohur si pjesë e shkollimit.

“Në çdo takim që kemi me homologë nga vende të ndryshme kryesisht të BE-së, na është thënë se infermierët shqiptarë kanë mangësi në pjesën praktike, pasi orët e praktikës janë të pakëta,” deklaroi për BIRN Presidenti i Urdhërit të Infermierëve.

Por ndryshe nga partnerët europian ministria e Arsimit i bëri me dije BIRN se praktitka nuk do të njihej si pjesë e krediteve dhe se në bazë të ligjit barazvleshmërinë me master shkencorë e kishin fituar vetëm ata ifermierë që kishin kryer 8 semestre apo një cikël të plotë 4 vjeçar shkollimi.

“Në zbatim të dispozitave kalimtare të ligjit për Arsimin e Lartë parashikohet që programet me kohëzgjatje të paktën 4 vite akademike (8 semestra), të ofruara para aplikimit të parimeve të Sistemit të Bolonjës (të cilët ishin praktikisht programe të integruara 4 vjeçare), të njihen/ekuivalentohen si “Master i Shkencave,” shkruhet në reagimin e MAS.

Alternativa gjermane

Por nëse këta të diplomuar në vitet 2002-2006 konsiderohen si të “pakualifikuar mjaftueshëm” në spitalet shqiptare, krejt e kundërta ndodh me ata që kanë ikur në Gjermani dhe kanë kryer të njëjtat studime universitare, duke u diplomuar si “Infermier të Përgjithshëm” në këto vite.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që qindra mjekë të përgjithshëm, specialistë dhe infermierë po largohen nga Shqipëria drejt Gjermanisë çdo vit, duke sjellë mungesa të theksuara në spitalet shqiptare.

Një prej tyre është infermierja Pranvera Dardhaj, e cila thotë se me të mbërritur në Gjermani iu ofrua punë dhe nuk i është dashur të japë asnjë provim shtesë, përveç testit të gjuhës dhe provimit për marrjen e licencës. “Sapo mbërrita në Gjermani kaluam menjëherë në procesin e testimit të gjuhës dhe marrjes së licensës, nuk na u kërkua të plotësojmë asnjë lëndë tjetër shtesë, pasi kurrikula që përfshinte studimi i kryer në Shqipëri u konsiderua i plotë,” tha Dardhaj.

Sipas saj ata që kanë pasur master shkencor apo profesional nuk janë trajtuar ndryshe, pasi e rëndësishme në Gjermani mbetet pjesa praktike.

Kjo qasje e sistemit shëndetësor gjerman konfirmohet edhe nga Presidenti i Urdhërit të Infermierit Sabri Skënderi, i cili u ankua se vendimi i fundit i ministrisë së Arsimit dhe Shkencës shkon në drejtimin e kundërt.

“Pasi infermierët shkojnë në Gjermani, gjashtë muajt e parë punojnë si ndihmës infermierë, më pas marrin statusin e infermierit,” tha ai.

“Në vendin tonë në kurrikula kemi një mbifryrje në aspektin teorik të lëndëve dhe i japin pak rëndësi praktikës, krejt ndryshe nga çfarë ndodh në vendet e BE-së gjatë studimeve në Fakultetin e Infermierisë,” përfundoi Skënderi. /Sebi Alla-Birn http://www.albeu.al/shqiperi/ministria-nuk-u-nje-diplomat-4-mije-infermiere-rikthehen-ne-shkolle-dhe-u-ulet-paga/406285/