Meta reagon për vendimin e SHBA ndaj Berishës: Akt i pabesë, i shëmtuar dhe i poshtër!

1055
0

Presidenti i vendit Ilir Meta dha sot një deklaratë të posaçme për Sali Berishën, tri ditë pasi u shpall nga Departamenti Amerikan i Shtetit, vendimi për ndalimin e familjes Berisha që të futet në Amerikë duke e konsideruar si një akt të poshtër, të pabesë dhe të shëmtuar.

Ai thotë se vendimi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një  “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit”, raporton noa.al.

Meta shton se “kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”.

Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, Meta thotë se ai ndjen “përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme”.

Meta e ka publikuar të plotë atë mesazh:

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për ju, Lilin dhe familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!”