Matilda Makoçi rrëfen për herë të parë raportin që ka me Ramën, dhe vështirësitë që kaloi pas ndarjes me të

4194
0

Bashkëshortja e parë e kryeministrit Edi Rama, Matilda Makoçi, pas shumë vitesh në heshtje ka rrëfyer për emisionin “Exclusive” në Top Channel jetën e saj pas martesës dhe braktisjes së aktrimit pas lindjes së djalit, Gregori.

“Isha shtatzënë, pas lindjes nuk arrita t’i kthehesha rolit. Nuk kisha më kushte që të ishte djali rehat, duhej ta shoqëroja edhe unë në procesin e rritjes. Unë kam qenë e angazhuar me punë shtëpie.

Deri para 2-3 viteve kam qenë e preokupuar pas Gregut”, rrëfen Matilda, e cila shton se edhe tani që djali jeton veçmas, i duhet ta pranojë vendimin e tij.

Ajo tregon se nuk ka marrëdhënie me kryeministrin Rama me të cilin u martua në fundvitet ’80, e u nda në vitin 1991, por e respekton atë.

“Nuk kam marrëdhënie, por kam respekt për përpjekjet që bën dhe shoh që të gjithë e duan”, shprehet Matilda.

Pas emigrimit në Greqi në vitin 1991, Makoçi tentoi që të mos shkëputej nga Kinomatografia. Ajo rrëfen se në serialin “Mikeshat” mori pjesë në 1 nga 4 serialet, pasi nuk kishte mundësi që të angazhohej plotësisht.

Përse u kthyet kaq vonë?

U riktheva pas një mungese me karakter personal, por nuk më duket vonë, sepse u ktheva në një moment me poezi dhe mjafton kaq që të tregoj që nuk kam asnjë problem me profesionin. Poezitë janë ato që tregojnë aktivitetin e aktorit dhe besoj se u paraqita denjësisht.

Si ju priti publiku?

Publiku është i mësuar me poezinë. Më priti ngrohtë dhe me dashuri.

Ju si u ndjetë?

U ndjeva mirë.

Ju kishte munguar kjo përballje?

Jo, nuk më kishte munguar. Të them të drejtën, edhe pse u bë një kohë kaq e gjatë, nuk e ndjeva këtë gjendje emotive. Emocioni që kisha lidhej me interpretimin e poezisë më shumë sesa me takimin me publikun.

Cili është roli juaj më i dashur?

Të gjitha rolet janë njësoj për mua, sepse edhe numri i filmave nuk është shumë i madh, kështu që i kam shumë afër vetes sime rolet me njëri-tjetrin. Jam e kënaqur. Nuk kam pasur pretendime shumë të mëdha, megjithatë rolet që kam pasur kanë qenë dinjitoze dhe emocionet për të gjitha rolet që kam pasur janë të fuqishme. Të gjitha rolet janë të dashura, por natyrisht, në filmin “Të mos heshtësh”, ku kam rol kryesor, më ka emocionuar dhe më ka mbajtur në aktivitet pune më shumë se të tjerët. Me të gjithë regjisorët kemi qenë shokë dhe kam komunikuar normalisht, pa probleme, por me Spartak Pecanin kam pasur më shumë preokupacionin e aktores ndaj regjisorit.

Si janë marrëdhëniet tuaja me aktorët që i keni pasur partnerë në filma, a i ruani kontakte me ta?

Të gjithë partnerët janë të respektuar nga unë. Nuk mund të veçoja ndonjë. Kur takohemi, komunikojmë, por nuk mund të them se kam mbajtur kontakte me ta. Kur jam kthyer nga jashtë shtetit, kam takuar një herë Ndriçim Xhepën.

Cilat janë disa nga rolet tuaja në teatër?

Kam luajtur te “Romeo dhe Xhulieta” rolin e Xhulietës dhe te “Zbutja e kryeneçes” rolin e Biankës.

Mes ekranit të madh dhe skenës së teatrit, kë do të zgjidhnit?

Unë jam aktore teatri dhe jam shumë e lidhur me teatrin, por më shumë e predispozuar kam qenë dhe mbetem me kinemanë.

Çfarë ndodhi që nuk iu kthyet më aktrimit?

Isha shtatzënë dhe më pas nuk munda t’i kthehesha më rolit. Nuk i kisha kushtet për rritjen e djalit rehat, ndaj duhej të isha edhe unë që të merrja pjesë në procesin e rritjes. Kam qenë e angazhuar me probleme shtëpie, punë shtëpiake, sepse të tilla i kisha kushtet. Nuk e dija se si do më vinte jeta më vonë.

Dhe ju iu dedikuat Gregorit… për sa vite?

Deri para 2-3 vitesh, kur është shkëputur dhe ka dalë më vete, kam qenë e preokupuar ndaj Gregorit. Me të rinjtë duhet të jesh e duruar, sepse mërziten, trishtohen, është melankolia e moshës dhe nuk më pëlqen ta mërzis. Të them të vërtetën, nuk më pëlqen që është shkëputur, por është dëshira e tij dhe kam qenë e detyruar, sepse nuk mund t’ua prishësh fëmijëve dëshirën që kanë. Për këtë arsye ia kam lejuar të bëjë atë që dëshiron dhe uroj që të ketë kënaqësinë e kësaj mënyre jetese. Përpiqem të jem e afërt me të, pavarësisht se është larguar.

Mbani raporte me ish-bashkëshortin, Edi Rama?

Nuk kam marrëdhënie, por kam respekt për përpjekjet që bën dhe e shoh që të gjithë njerëzit e duan.

Keni qenë prezente në serialin grek “Mikeshat”, si u vutë në kontakt me regjisorët?

Përmes një zyre aktorësh. Paraqita të gjithë aktivitetin tim artistik, biografinë time artistike. Më kërkuan dhe më gjetën. Ishin katër seri të serialit, në të cilat duhej të merrja pjesë, por nuk e përballova dot dhe mora pjesë vetëm në një seri.

Si ishte të punoje në një ambient të ri, ndryshe nga ai shqiptar?

Ishte e vështirë, sepse isha e huaj. Kishin intimitetin e tyre të punës, kishin oraret e tyre, pastaj zyrat e xhirimit ishin shumë larg nga qendra e qytetit dhe s’kisha mundësi që të angazhohesha ashtu siç duhej.

Do t’i ktheheni sërish aktrimit?

Rikthimi është një gëzim shumë i madh, por edhe një preokupacion shumë i rëndësishëm. Për moshën time tani, ofertat më së shumti janë për rolet e mamave dhe episodike. Por po të ketë ndonjë rol që ia vlen në këtë drejtim, do të ishte kënaqësi për mua dhe për spektatorin do të qe surprizë.