Majko: Brenda PS ka njerëz që kanë nostalgji për komunizmin

283
0

Ministri per Diasporën, Pandeli Majko komentoi deklaratën e kandidates për deputete të PS në Tiranë, Luljeta Bozo, e cila tha se komunizmi kishte më shumë të mira sesa të këqija.

I ftuar në emisionin “Absolut 4”, Majko prantoi se brenda së majtës ka njerëz që ruajnë një lloj nostalgjie për kohën e komunizmit, por sipas tij ky nuk është rasti i Luljeta Bozos.

Pandeli Majko: “Ju prisni që unë të mbaj një distancë nga kjo deklaratë dhe të them që nuk është e duhura, nuk është e vërteta dhe nuk kishte pse thuhej në këtë kohë. A ka brenda së majtës njerëz që ruajnë një lloj nostalgjie për kohën? Përgjigja është po. A përfaqëson zonja Bozdo këtë lloj afeksioni? Përgjigja është JO. Por mbase foli më hapur se ndonjë tjetër nga këndvështrimi i saj.

Qëndrimet e mija për këtë çështje janë të qarta. Sistemi komunist ka aplikuar inkuizicionin për ata që i kishte kundërshtarë dhe segregacionin për ata që i konsideronte si pasardhës të tyre. Ne mund të kemi reflektime të ndryshme që kanë të bëjnë me punën e një komuniteti, të cilët sipas mendimit tim për ruajtjen e sovranitetit të vendit apo disa momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me krijimin e universitetit. Këto më tepër sesa fitore të komunizmit duhen parë si fitore të një komuniteti njerëzish të cilët ishin shkolluar në perëndim.’’

Inxhinerja Luljeta Bozo, e cila kryeson listën e PS në Tiranë, tha gjatë një emisioni televizi se regjimi i ish-diktatorit Enxer Hoxha kishte më shumë gjëra pozitive se negative. Një deklaratë e cila shkaktoi shumë debate në opinionin publik.