“Lypja në rrugë, të telefonoja nënën qe ti thoja që jam gjallë” Rrëfimi i një emigranti shqiptar

204
0

Në mars të vitit 1991, si mijëra shqiptarë të tjerë, Gazmir Meçe vendosi të niset i vetëm drejt Italisë me shpresën e një jete të re. Në atë kohë veçse 17 vjeçar, Gazmiri kujton të gjitha peripecitë që kaloi ai dhe shumë shqiptarë të tjerë që donin vetëm të largoheshin nga Shqipëria e mjeruar prej regjimit komunist.

31 vite nga ajo kohë, ndërsa Gazmiri kujton se u ngjit në një anije me 2 mijë shqiptarë të tjerë. Në të nuk kishte punonjës që dinin sesi të udhëtonin drejt Italisë. Për dy ditë me radhë të gjithë qëndruan në anije pa ujë e bukë, derisa një helikopter italian i pikasi në det.

“Anijen e drejtonte një njeri i thjeshtë, jo një kapiten anije. Mjaftonte që ta mbante drejt timonin për të shkuar në Bari, por në fakt ne qëndruan dy ditë në det, humbëm. Një motorr i anijes ishte shkatërruar, anija ecte me 5 milje në orë. Dy ditë qëndruam pa bukë e ujë. Shyqyr që na doli një helikopter i Italisë që na ndihmoi. Në Bari qëndruam mbi 9 orë në një vend, pasi nuk kishim asnjë leje, asgjë.”-kujton Gazmiri në një intervistë për abcnews, ndërsa sot ai me profesion është kamionist.

Gazmiri rrëfen më tutje se prej disa ditësh nuk kishte mundur të telefononte nënën, për t’i thënë se ishte gjallë. I është dashur të lypë edhe në rrugët e Brindizit me shpresën se do të mbledhë disa të holla për të telefonuar nënën në Durrës. Pas disa ditësh, një grua e cila e kishte parë duke lypur, e ndihmoi.

“Kam qenë 17 vjeç kur jam larguar nga Durrësi. Si unë e shumë të tjerë, shikonim kanalet italiane atëherë e mendonim se atje ishte një jetë tjetër, një diçka krejt tjetër. Italia për ne ishte një Amerikë e vogël, por megjithatë kur shkon atje shikon se nuk është gjithçka që sheh si nëpër televizion.

Kur mbërritëm, duhet të na sistemonin sepse kishim dy ditë pa bukë e ujë. Shumë fjetën nëpër trotuare, kemi ndenjur dy javë në ato kushte. Bënte ftohtë, ishte mars. Filluan të sistemonim më përpara familjet me fëmijët, kurse ne tjerët mbetëm aty. Na jepnin një herë në ditë ushqim, banane, panine, etj.

Unë nuk kam për turp ta them, por kam lypur dhe para në rrugët e Brindizit, sepse doja të telefonoja mamanë për t’i thënë se jam gjallë. Unë në port e kam parë mamanë e cila kishte ardhur me motrën. Më thërrisnin, por unë nuk dola, u fsheha. Mendoja po të më shohin, do të më marrin në shtëpi, por unë nuk doja. Thirrjet e nënës më kanë shoqëruar deri në këtë moshë, më kujtohen ato thirrje të nënës… plus dhe telefonata e parë që kam bërë me të.

Telefonatën e parë e kam bërë me lekët që kam lypur në rrugët e Brindizit. Një zonjë italiane më dëgjonte që unë thoja më jepni ca monedha se do të marr nënën në telefon. Më vjen ajo zonja me një qese plot me xhetona e monedha e më thotë… shko merre nënën në telefon, të kam dëgjuar përditë. Shko merre nënën direkt.

Kur e kam marrë nënën në telefon fiks… nëna bënte çdo ditë 4 kilometra në këmbë, shkonte tek telefoni e priste që unë ta merrja. Koinçidenca e bëri që në atë moment të telefonoja. U preka, nisëm të qajmë. I thashë jam gjallë, mirë e se do të rregullohet çdo gjë.

Për mua ka qenë një telefonatë shumë e veçantë. Me atë zonjën që më dha monedhat i kam humbur kontaktet. Ishte rastësisht aty e nuk e pashë më atë zonjë. “-rrëfeu Gazmiri.

Më tutje shqiptari tregon se autoritetet italiane i sistemuan në një pallat sporti. Një tjetër italian i Brindizit, të cilin Gazmiri e konsideron si babain e tij të dytë, i doli në atë kohë në ndihmë.

“Siç thash pas dy javësh na sistemuan, në një pallat sporti, ku tek fusha e basketbollin, shtruan dyshekët. U mbush plot me njerëz. Flinim aty. Në ato momente më kujtohet vullneti i njerëzve të Brindizit, sesi të gjithë afroheshin tek këto pika, njerëz të tjeshtë, si e si të ndihmonin shqiptarët, në mënyrë vullnetare. Më kujtohen sepse këto raste janë shumë të veçanta, pasi ai popull atë që ka bërë për shqiptarët, është diçka shumë e veçantë.

Në ato momente kur isha tek kampi sportiv, dilja dhe duke ecur, shkoj tek një dyqan këpucësh e aty njihem me Frankon. Kur ai më pa, më pyeti sa vjeç je. 17 jam i tregova. Më pyeti nëse kisha ardhur me njeri e unë i thashë që isha i vetëm… U prek shumë e më tha: dëgjo kij besim tek unë, do të vish me mua me makinë e do të çoj tek shtëpia ime.

Hipa në makinë. Bëmë një copë rrugë e thoja me vete ku po më çon ky. Ai donte vetëm të më ndihmonte. Më çoi në shtëpi e më tha, do të rrish tek shtëpia ime sa kohë të duash. Më prezantoi me familjen. Më tha, sa kohë të duash, do të ndihmoj e sistemoj unë me punë.

Nga atje (pallati sportit) unë nuk mund të largohesha sepse prisnim dokumente, por i thashë që nëse ke dëshirë, mund të ha këtu, por për të fjetur, duhet të shkoja atje. Më ka mbetur në mendje diçka. Jeta është gjëja më e shtrenjtë që ne kemi, dhe ky person më dhuroi një pjesë të jetës, por më dhuroi dhe nga ana materiale, më bleu rroba e shumë gjëra. Më dhuroi dashuri në familje. Nusja e vajzat e tij më thonë ende sot vëllai jonë. Për mua është një njeri shumë i madh.

Më vonë na lëvizën e në fillim shkova në Sardenja. Puna ime e parë, u bëra bari delesh. Të them të drejtën ishte nga keqkuptimi…nga italishtja ne e dinim që ‘pastore’ ishte nga ata që punonin në kishë. Një mik i imi më tha, ‘hë se ti di italisht’. Ca italianë na thanë, ‘na duhen 4 pastorë.’ Më thanë ata shqiptarët, “ça janë pastore?”, e unë u përgjigja, “me çfarë kuptoj do të shkojmë të pastrojmë ndonjë kishë.”-rrëfen me nota humori Gazmiri.

Ai tregon më tutje se me Frankon ka mundur të rilidhë kontaktet pas shumë vitesh duke përdorur rrjetet sociale.

“Frankon e falenderoj sepse në ato momente të vështira kur ne erdhëm atje, ai mu gjind. Mora vesh më vonë se ai kishte ndihmuar dhe shqiptarë të tjerë. Mirënjohja është një formë respekti që njerëzit nuk duhet ta harrojnë. Kisha 28 vite që nuk kisha kontakt me Frankon. Bëra një apel në rrjetin social me foton e tij dhe me thënë të drejtën reagimi i popullit të Brindizit ka qenë i madh. Me foton e kam gjetur Frankon.”-shpjegoi Gazmiri.