“Letra e Kryeministrit Rama pas shortit të Europianit: Kujdes me Italinë, i kemi shumë borxhe!”

144
0

Nga Lutfi Dervishi

Edhe në ëndrrën më të çmendur nuk mendoja se do të përballemi me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Kampionë dhe nën kampionë të botës. Është nga ato raste ku edhe ateisti më i përbetuar fillon dhe mendon se atje lart ka një Zot, dhe besimtari më i devotshëm mendon se është koha që po pret profetin e radhës.

Ndërsa juve që sot nisni rrugën e lavdishme të kualifikueseve evropiane, ndihem i detyruar t’iu shkruaj për një çështje me rëndësi kapitale, për ju, për ne, për të gjithë. E kam fjalën për ndeshjen e parë kundër Italisë.

Para se të luaja këtë sportin e rëndë të politikës, unë kam luajtur vetë me ekipin kombëtar të basketbollit dhe e kuptoj, po aq sa secili prej jush, emocionin e fitores dhe shijen e ëmbël të suksesit. Por kjo në asnjë mënyrë, për çfarëdo arsye dhe me çfarëdolloj çmimi, nuk duhet të ndodhë kundër Italisë.

Italisë i kemi shumë borxhe. Po të rreshtoja këtu listën e borxheve që i kemi fqinjit tonë perëndimor, do të na zinte Europiani pa bërë stërvitje.

Nuk po futem në histori, por po i referohem mikpritjes që tregoi Italia ndaj qindra e mijëra shqiptarëve në vitin 1990, kur qindra mijëra bashkëkombës të “skuqur si rus, të zverdhur si kinez dhe të nxirë si shqiptar”, morën anijet rrangalle që na kishte lënë qoftëlargu dhe i mësynë brigjeve italiane.

Sot që po flasim janë 600 mijë shqiptarë që e kanë ndërtuar jetën në Itali. Me Italinë tashmë jemi si një familje, që së bashku konsumojnë gjithnjë e më shumë makarona dhe gjithnjë e më pak dramë.

Të mos harrojmë edhe 1997, kur armët që kishim në depo për t’u mbrojtur ndaj  Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, i përdorëm kundër njëri-tjetrit në një marrëzi që mori mijëra jetë shqiptarësh. Ishte Italia që drejtoi operacionin Alba, dhe jo vetëm na ushqeu, por edhe bëri të mundur që të ecim sërish në shinat drejt BE-së.

Mos të harrojmë  avokatinë fisnike të Italisë për ëndrrën tonë evropiane. Italianët  kanë valëvitur flamurin shqiptar në diskutimet e anëtarësimit në BE, duke ulëritur “Lërini të hyjnë!” Italia është kumbari ynë. 

Por është dhe interesi ynë kombëtar që të humbim ndaj Italisë. Imagjino një moment që ne të fitojmë ndaj 3 herë kampionëve të botës. Si do të ndihej komuniteti arbëresh që jeton prej 600 vjetësh në Itali. Gjashtë shekuj nuk janë pak! Edhe statujat që kemi në Shqipëri nuk janë më të vjetra se një shekull.  Ata kanë shekuj që përmallohen dhe vuajnë për Shqipërinë dhe është rasti t’ua kursejmë dhimbjen e humbjes.

Mendoni pak se çfarë do të ndodhte në Shqipëri ku gjysma e shqiptarëve qajnë kur humbet Italia. Çfarë do të ndodhte në Shkodrën tonë ku gjysma janë me Italinë dhe gjysma me Gjermaninë? Ne nuk kemi as luksin, as takatin të përballojmë një tjetër luftë civile në vend.

Një fitore e juaj do ta kishte shumëzuar me zero edhe përpjekjen që sapo bëmë për të mikpritur emigrantët që  mësyjnë brigjet italiane.

Si mund të fitojmë ne ndaj Italisë, kur 7 prej jush luajnë në Itali.  Shqiptari nuk e ka zakon që aty ku ha bukën të përmbysë kupën?! Tek e fundit, çfarë janë italianët – janë “shqiptarë të veshur me Versaçe”. Si mund të fitojmë ne kundër vetes tonë.

Në ndeshjet në grup, ne mund të fitojmë lirisht ndaj Spanjës që është gati të njohë Palestinën, një vend pa kufij të qartë dhe që nuk dihet se kush e qeveris, dhe nuk njeh Kosovën. Me Spanjën është rasti të qërojmë llogaritë. Tre pikë me Spanjën dhe një barazim me Kroacinë, vendin që na mbështet më shumë në rajon. Katër pikë është objektivi ynë.

Pra, fort të nderuar lojtarë që na keni bërë krenar, kur të lidhni këpucët dhe të përgatiteni për ndeshjen ndaj Italisë, mbani mend borxhet që i kemi. Dhe nëse ata kanë të njëjtën dëshirë, që ne të dalim me sukses, ju lutem u thoni që fitorja është një dhuratë që ne e refuzojmë me dashamirësi.

Mos harroni, në fund të fundit, nuk po flasim vetëm për një ndeshje, është fjala për një testament të marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Shumë fat ndaj Spanjës!

I juaji,

Edi Rama