Lehtësohet procedura për pasaportë – Tashmë rinovimi mund të bëhet në çdo pikë aplikimi të Shqipërisë

148
0

Nëse më parë duhej të paraqiteshim në gjendjen civile ku ishim të regjistruar për të plotësuar aplikimin për rinovim pasaporte, nga tani e tutje, qytetarët shqiptarë mund të rinovojnë pasaportën e tyre në çdo pikë aplikimi të Shqipërisë.

Për shembull, një qytetari që është nga Vlora i lejohet që të aplikojë për rinovim pasaporte edhe në një zyrë aplikimi që gjendet në Fier, Gjirokastër apo Tiranë, në varësi të vendodhjes së tij momentale.

Ky njoftim është bërë i ditur nga IdentiTek, e cila është e vetmja kompani shtetërore në Shqipëri që ofron aplikimin, prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë ose shtetasve të huaj me banim të përhershëm apo të përkohshëm në Shqipëri.

Duhet theksuar se ndryshimi vlen vetëm për vendodhjen nga ku bëhet aplikimi për pasaportë dhe jo për dokumentacionet që kërkohen, afatet e prodhimit të pasaportës, tërheqjen apo vlefshmërinë. Kjo synon që të eleminojë burokracitë apo të thjeshtësojë dhe lehtësojë procesin e pajisjes me pasaportë për shtetasit shqiptarë, të cilëve u ka skaduar afati i përdorimit të pasaportave.

Në rastet e riaplikimit kur pasaporta ka skaduar, mjafton të blihet kuponi në një nga filialet e Postës Shqiptare dhe të paraqitet karta e identitetit dhe pasaporta e vjetër në një nga pikat e aplikimit që ndodhet më afër tyre.