Skip to content

Largimi i ambasadores Yuri Kim, ja kush e zëvendëson (Emri)

    Në mbarim të mandatit të ambasadores Yuri Kim Departamenti amerikan i shtetit ka nisur procedurat e zëvendësimit.

    Gazetari Top Channel Muhamed Veliu duke iu referuar burimeve diplomatike, thotë se besohet që  zëvendësi ambasadores Kim mund të jetë David Kostelanick. Kostelanick është një njohës i mirë i çështjeve ruse.

    Për momentin ai është drejtor në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

    Ardhja e ambasadorit të ri  konfirmohet nga një mesazh publikuar në Twitter prej Ministrisë së Punëve të Jashtme ku thuhet se “për të shmangur çdo spekulim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht.

    Ndërkohë kjo ministri thekson që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.

    Fillimisht është DASH që i dërgon emrin për pëlqim Ministrisë së Punëve të jashtme dhe pasi të jetë dakordësuar emri propozuar nominohet për postin e ambasadorit nga Presidenti SHBA.

    Por nuk përfundon këtu dërgimi ambasadorit të ri.

    Kandidatura e nominuar duhet të paraqitet në senat nga ku zhvillohet një dëgjesë e më pas është senati që e miraton./tch/