Në një kohë kur Shqipëria dhe Greqia janë në proces negociatash për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbartura ndër vite, ka ardhur një lajm i mirë nga shteti fqinj, që prek drejtpërdrejt emigrantët shqiptarë.
Ministria e Jashtme e Greqisë ka marrë vendimin për tërheqjen e rezervës për Vulën Apostile ndaj Shqipërisë.
Kjo nënkupton se do të ketë më shumë lehtësi për shqiptarët, në bërjen e dokumenteve.
Tërheqja e rezervës për Vulën Apostile ka një impakt pozitiv praktik, kryesisht për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, duke lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat e marrjes dhe përdorimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare dhe greke.
Po ashtu, një tjetër përfitim nga kjo lëvizje, lidhet edhe me reduktimin e kostove financiare për lëshimin e dokumenteve.
Ky vendim është përshëndetur nga ministria per Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. /k.k/noa.al/