Kush mund tua kthejë dinjitetin mjekëve?

667
0

Nga Mentor Kikia

(Nje leter publike per mjeket qe kerkojne respekt)

Debati për arrestimin e dy mjekeve të Traumës, për marrje rryshfeti, vazhdon. Kolegët e tyre protestuan sërish, për të dytën ditë, kundër mbajtjes së tyre në burg, “duke u trajtuar si kriminelë”. U përfshiva pak minuta në një debat televizv, ku dëgjova disa mjekë të revoltuar. Më bënë përshtypje dy deklarata: Njëri që kërkonte që mjekëve tu kthehet dinjiteti dhe tjetri që sillte një shëmbull nga Rumania, ku mjekëve u ishte lejuar rryshfeti, apo dhurata, që të mos largoheshin nga vendi.

E para: Dinjiteti, as mjekut e askujt tjetër, as i merret e as i kthehet, as me vendim qeverie, as me ligj e me asgjë tjetër. Dinjiteti, për këdo, fitohet dhe ruhet nga vetë personi. Nëse ka mjekë që e kanë humbur dinjitetin, e kanë humbur sepse e kanë nxirë bluzën e bardhë. Sepse e kanë trajtuar pacientin si kamarieri klientin, duke i llogaritur në çmim çdo shërbim që i ka bërë. Nëse të tillë mjekë e kanë humbur dinjitetin, më vjen keq, por s’ka perëndi tua kthejë më. Mund te jesh edhe ne burg, dhe je shume dinjitoz. Sikunder mund te jesh ne maje te pushtetit, dhe je nje palaço.

Unë personalisht njoh shumë mjekë, që janë shumë dinjitozë, profesioniste, njerez te mrekullueshem dhe krenarë.

E dyta: Nëse mjekëve do tu lejojmë rryshfetin me argumentin se rrogat janë të ulëta, po me të tjerët çfarë të bëjmë? Po sikur edhe mësuesit e pedagogët të kërkojnë para nga studentët e nxënësit, sepse e kanë pagën e ulët(sikundër ka raste plot)? Po sikur tua lejojmë edhe gjykatësve e prokurorëve(atë që e kanë bërë në fakt)? Po edhe policët të ulët e kanë rrogën. Tu themi ti lirojnë gjysmën e atyre që kapin, që të plotësojnë pagën? Po sikur ai punëtori i ujësjëllësit të thotë, po s’më sollët rryshfet tani, do ua mbyll rubinetin, apo do ua helmoj ujin, çfarë ti themi? Edhe ai mizerje e ka rrogën.

Kjo është Shqipëria të dashur mjekë. E varfër, e korruptuar, e rrjepur, e vjedhur, e zhvatur…

Kjo është Shqipëria juaj, e jona, e ne të gjithëve. Këto janë pagat tona, të ulëta e mjerane. Ky është niveli ynë i jetesës. Nëse ti kërkon të të ligjërojnë rryshfetin se e ke pagën e ulët, me argumentin se ti shpëton jetë, po ai që vjen të shërohet, a mendon se sa e ka pagën?

A ke menduar ndonjëherë se ai merr kredi të paguajë rryshfetin tënd për operacionin që ti bën në sallën e shtetit dhe me paisjet e shtetit?

E ke menduar që dikush shet shtëpinë për të shpëtuar fëmijën?

E ke menduar se dikush edhe vdes, se s’ka çfarë të shesë?

Po, ju meritoni shumë më shumë se kaq, paga shumë më të larta e kushte më të mira, sepse ju shpëtoni jetë dhe profesioni juaj është hyjnor.

Por ne nuk mund të kemi një Shqipëri të mjerë cep më cep, dhe mjekë të paguar si në Gjermani.

Nese ju do te protestoni para qeverise per te kerkuar ngritjen e skemave me te mira menaxhimi per spitalet, qe do te cojne ne rritjen e pagave tuaja, ne vendosjen e tarifave te perballueshme, respektimin e skemave te sigurimeve, dhe duke eliminuar rryshfetin, etj etj, atehere do te vij edhe une.