Kush është “Plaku i Madh” i kanabisit në Shqipëri, italianët në gjurmët e njeriut që drejton trafikun

466
0

Plaku i Madh i kanabisit është një burrë rreth 65 vjeç, i cili banon në një zonë të panjohur të Shqipërisë, i rrethuar nga njerëzit e tij dhe, nga sa duket, i mbrojtur nga Policia, që i lejon të jetojë lirisht, ndonëse në Itali është dënuar me 25 vjet për trafik ndërkombëtar droge.
Kur në dhjetor të vitit 2016 një bos i Ndranghetas kalabreze erdhi ta takojë për të folur për bashkëpunim, ai u përul para Plakut të Madh, duke konfirmuar kështu lajmin se kriminaliteti shqiptar tashmë respektohet edhe nga më e vjetra mes mafieve italiane.

Emri i tij, çuditërisht, nuk dihet, pasi, kur Guardia di Finanza italiane provoi t’i kërkojë ndihmë Policisë shqiptare për ta identifikuar, autoritetet e Tiranës nuk deshën, ose nuk ditën, të bashkëpunojnë. Kjo ndodhi më 2016. Plaku i Madh mbetet pa emër, pavarësisht nga fakti që hetuesit italianë madje dinë edhe numrin e telefonit të tij, por as kjo deri tani nuk i ka mjaftuar Policisë shqiptare për ta identifikuar.

Duket si një roman krimi, por është gjithshka e vërtetë, e shkruar e zezë mbi të bardhë, në dokumentat e hetimit të kryer nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros, që “Shqiptarja.com” publikon sot ekskluzivisht, e cila, pak ditë më parë, arrestoi 25 trafikantë, mes të cilëve një shqiptar, ndërkohë që dy shqiptarë janë në kërkim dhe shtatë të tjerë janë nën hetim. Të gjithë ata akuzohen se kanë importuar nga shtatori deri në dhjetor 2016 rreth pesë ton marihuanë nga Shqipëria. Por në listën e trafikantëve të zbuluar nuk del shefi shqiptar, Plaku i Madh, që sërish mbetet pa emër.

Ndërkohë, një nga urdhër-arrestet është nxjerrë ndaj atij, që gjithnjë u paraqit si “nipi” i shefit, Indrit Buja, 35 vjeç: duket se ka arritur të ikë para se të arrestohej nga italianët. Kur, më 11 nëntor 2016, bosi i Ndranghetës Salvatore Pititto, 48 vjeç (i lidhur me klanet mafioze të Vibo Valentias dhe nje nga te arrestuari tani) zbriti në Durrës për të tretën herë, duke ardhur nga Bari, për t’i kërkuar falje Shefit për vonesën e një pagese prej 520.000 eurosh marihuanë, italiani mbeti i shokuar nga Plaku: “Ishte Shefi … pikërisht Shefi … folëm gjatë bashkë; ai ishte ulur në kolltukun e tij me pistoletë në brez dhe kishte para vetes 18 celularë, të gjithë njësoj; mendo pak: të gjithë njësoj. Po kjo është normale, pasi ai ka gjithë ato kontakte”.

Plaku i Madh, në atë takim me bosin italian, u tregua i prerë: “Unë kam 9 ton marihuanë … të gatshme … mund të të furnizoj me 500 kile në javë … e rëndësishme është që ta shesësh drogën sa më shpejt … në vend të 1.300 eurove për kile, do të ta jap me 1.250; pagesat m’i bëj një herë në 20 ditë, me kartmonedha 100, 200 dhe 500 euroshe, kështu mund të kalosh kufirin pa problem. Nëse nuk nuk arrini dot ju të m’i sillni paratë, mos u bëj merak, dërgoi një SMS nipit tim dhe vjen ai e i merr në Itali”.

Detajet e atij takimi të fshehtë janë zbuluar nga vetë Salvatore Pititto pasi u kthye në Kalabri, duke folur me të dashurën e tij ukrainase Oksana Verman: në banesën e tyre ishte vendor një “çimkë” dhe e gjithë biseda e gjatë u regjistrua nga Guardia di Finanza. Pas arrestimit të tij, ajo vendosi të pendohej dhe të bashkëpunonte me drejtësinë. Sot është edhe ajo një nga akuzuesit e bandës italo-shqiptare. Por as Oksana nuk ka qenë në gjendje të japë qoftë edhe një detaj mbi Plakun e Madh. Gjatë leximit të mëse 1.000 faqeve të dosjes, kupton se as ata që e kanë takuar, nuk kanë përmendur kurrë emrin e tij, as edhe me nofkë.