Kur do te largohet pluhuri saharian ka mbuluar vendin tonë dhe a ka efekte të dëmshme për shëndetin

1158
0

Pluhuri saharian ka mbuluar këtë të mërkurë Shqipërinë. Masat e rërës ardhur nga Afrika si pasojë e stuhive të forta të erës e kanë ngjyrosur qiellin thuajse në të kaftë, aq sa Tirana nga Dajti mezi u shqua. Për pasojë, cilësia e ajrit në kryeqytet sipas IQair tejkaloi gati me 10 herë normat e OBSH-së.

Përveç bezdisjes në frymëmarrje, ekspertët e mjedisit thonë se nuk ka efekte të dëmshme në shëndet. Ndërsa sinoptikanët lajmërojnë se një situatë e tillë është kalimtare pasi pritet të zgjasë vetëm një ditë.

“Është një ndotje e ajrit e përkohshme, do të qëndrojë të paktën deri sonte në mbrëmje. Gjatë natës, një front i ftohtë me reshje intensive do përfshijë Shqipërinë, me rënien e reshjeve do kemi pastrim të ajrit dhe grimcave të Saharasë”, tha Lajda Porja për tv Klan.

Nxehtësia e rërës ka sjellë edhe një rritje të menjëhershme të temperaturave.

“Është një mot mbytës. Dje kemi regjistruar 19-20, sot 28 gradë.”

Moti do të përmirësohet nga pjesa e dytë e ditës së enjte.

“Do kemi normalizim të situatës, madje do të kemi të premten, fundjavën dhe fillimin e javës tjetër me diell.”

Pluhuri afrikan mbuloi këtë të mërkurë gjithë Mesdheun Lindor.