Kufizime ne lëvizjen e qytetareve, njoftimi i Policise se Shtetit

285
0

Policia e Shtetit ka njoftuar shtimin e masave kufizuese për shkak të pandemisë, duke bërë të ditur se ka marrë një sërë masash shtesë për monitorimin e zbatimit të  masave kufizuese.

“Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, në vijim të angazhimit maksimal të treguar gjatë gjithë periudhës së pandemisë, do të ushtrojnë kontrolle të rrepta në bare, restorante, lokale nate dhe ambienteve të ndryshme, do të ngrihen pika kontrolli pas orës 22:00 në të gjitha akset rrugore, si dhe do të ketë prezencë të shtuar të Patrullave të Përgjithshme dhe të Policisë Kriminale, në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftim.

🛑 Duke filluar nga dita e sotme, ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00;

✅ Përjashtohen rastet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme duhet të pajisen me autorizim në portalin e-Albania;

✅ Personeli i shëndetësisë dhe punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve përkatëse;

🛑 Mbyllen nga ora 22:00 deri në orën 06:00, baret, restorantet, fast food-et dhe lokalet që ofrojnë shërbim për klientët.

✅ Përjashtohet nga rregulli shërbimi në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar rregullat higjienike të miratuara.

Policia e Shtetit do të ndëshkojë me masë administrative cilindo që do të konstatohet në shkelje të masave kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave të saj funksionale, për parandalimin dhe goditjen  e krimit, sigurimin e rendit dhe qetësisë dhe ofrimin e shërbimit për qytetarët.

Në këtë kuadër, Policia fton qytetarët që në rast se konstatojnë raste të paligjshmërisë mund të denoncojnë në 112 ose në Komisariatin Dixhital.