“Ku shkon me këtë shpejtësi”, Azgan Mërnica rrëfen krimin: E qëllova me plumb sa ktheu shpinën

529
0

Po udhëtonte me shpejtësi kur gati sa nuk u përplas me efektivin e policisë Novruz Cenalia, në një prej rrugëve të fshatit Baltëz të Fierit. Përballë kësaj skene, polici i bëri me shenjë që të ndalonte. Zbritën nga makinat dhe shkëmbyen disa fjalë. Një moment që efektivi 28-vjeçar u kthye nga makina e tij, Azgan Mërnica nxori pistoletën dhe e qëlloi pas koke duke e lënë të vdekur në vend. Detajet e gjithë kësaj ngjarjeje të rëndë i ka dhënë vetë vrasësi 23-vjeçar, në dëshminë e tij para grupit hetimor.

“Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe i shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke”, ka thënë Mërnica para hetuesve, raporton gazetari Besar Bajraktaraj.

Sa i përket arratisë, ai ka thënë se gjatë 48 orëve që kërkohej nga policia ka lëvizur nëpër kanale duke u fshehur. Kishte dy ditë pa ngrënë dhe për këtë arsye shkoi tek shtëpia e dajës së tij. Aty më pas të afërmit e bindën të vetëdorëzohej, nga frika se mos vritej nga RENEA.

“Pastaj ika te daja dhe lashë makinën aty. Më pas u largova në këmbë në kanale. Kam lëvizur në këto kanale për 48 orë duke u fshehur. Po në hahej dhe bukë pasi kisha dy ditë pa ngrënë. Ika te shpia e dajës dhe këta kishin njoftuar policinë sepse kishin frikë se po më vriste RENEA. Pastaj më morën policët dhe më çuan në drejtori”, është shprehur më tej 23-vjeçari.

Azgan Mërnica akuzohet për vrasje të punonjësit të policisë dhe armëmbajtje pa leje.