“Krushqi me Jovan Bregun? Pu-pu-pu!”/ E trishtë! Ndahet nga jeta aktori i njohur i humorit

83
0

Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare aktori Anastas Kristofori. Aktori njihet për rolin e Perikliut në komedinë ‘Pallati 176’.

Varrimi i aktorit do të bëhet ditën e nesërme në Vuno, vendin e tij të lindjes.

JETËSHKRIMI
Aktori Anastas Kristofori lindi më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve) në vitin 1970, filloi punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (Teatri Kombëtar) në vitin 1971. Të shumtë do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri. Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.

Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot, liria në derë”. Në kinematografi roli i tij i parë ishte në vitin 1976 roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj. Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998, një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit. Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.